Nga Alma Nikolli

Para se të gjykojmë një kohë të shkuar me nota kritike, duhet bërë një përpjekje për të kuptuar disa pse. Sigurisht që pak prej nesh mund të bëjnë historianin a sociologun, ama njeriun mund ta bëjë secili.

Të jesh njeri ndonjëherë do të thotë të vihesh në vendin e tjetrit, por jo duke qëndruar në rrethanat e tua por të atij. Jo të thuash “të isha unë si ai” por “të isha unë ai”.

Ka shumë njerëz që nuk e dinë se në disa zona të veriut, të parët tanë kanë gatuar gjakun e bagëtive për t’u ushqyer.

E them këtë sepse në disa biseda më ka rastisur që njerëzit të habiten jo pak me këtë “kulturë”. “Çfarëëëëëëë, gatuhet gjaku, e shpifuuuuur?!”

Edhe unë vetë ndoshta do të duhet të isha habitur a neveritur kur kam dëgjuar së pari që

në disa kultura joshqiptare hahet gjarpri, kërmilli a krimbi, por s’e kam bërë. S’e kam bërë sepse kam menduar, po tanët që “hanin” gjakun?

Gjaku hahej, pasi kur gatuhej, përzihej me miell e yndyrë dhe e humbiste trajtën e lëngshme.

Kam pyetur, po pse vallë?

Ja ta zëmë, pritej një dele a dhi, s’u dilte mishi? S’u dilte. Bagëtitë ishin pak, dimrat e gjatë e të ashpër,

e fëmijët të shumtë. Disa familje që jetonin nën një çati duhet të shfrytëzonin maksimalisht delen a dhinë e prerë.

Mishi shpërndahej, o ruhej për raste. Këmbët, veshët, gjaku gatuheshin. Lëkura e deleve dhe dhive përdorej si gunë që vishej ose gëzof që shtrohej përtokë.

Malësori i varfër kishte nevojë edhe për pak “supersticion” dhe për këtë ishin brirët, të cilët vareshin në kopsht, gardhe a shtëpi. Një mbetje krejt e vogël e kafshës i kthehej natyrës pa e “përpunuar”.

Mendoj se çdo kulturë ushqimore, apo edhe kanunore ka lindur në kushtet e mbijetesës. Gjërat kanë logjikën e kohës së vet, sado e huaj duket kjo e parë nga prespektiva e së tashmes së bollëkut, ku shpesh “mbetja” është më e madhe se vetë “gjëja”.