Alarm nga përmbytjet në Shkodër

897

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e Qarkut kanë vazhduar reshjet periodike të shiut të cilat janë shoqëruar me shkrirje të dëborës dhe fryrjen e liqeneve, lumenjve dhe përrenjve.

Sipas informacionit që jep Ministria e Mbrojtjes ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në Bashkinë Shkodër, kryesisht në Njësinë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç , velipojë, Ana e Malit, Gur i Zi dhe Malësi e Madhe.

Rruga për në fshatin Bruçaj, Njësia Administrative Pult është e bllokuar, po ashtu dhe nga fshati Kir deri në Xhan dhe nga fshati Pog deri në qendër të Njësisë Administrative Pult. Rruga për në fshatin Mazrek të Njësisë Administrative Gur i Zi, është e bllokuar. Gjithashtu në rrugën Gur i Zi – Vukatan ka prezencë uji rreth 30 cm.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 300 ha. Ka prezencë uji në fshatin Obot. Rrezikohet ujësjellësi Oblikë. Përrenjtë kanë prurje të mëdha.

Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka prezencë uji edhe në fshatin Gomsiqe të Njësisë Administrative Velipojë.

Nga institucioni i prefektit vazhdon të monitorohet situata dhe po bashkëpunohet intensivisht me strukturat e Bashkive dhe institucione si: HEC-et, DVP, OSHEE, KESH, Drejtorinë Rajonale të Kullimit, Autoritetin Verior dhe strukturat e ushtrisë, për mbajtjen në kontroll të situatës dhe mirëmenaxhimin e situatave të pritshme.

Aktualisht është përqendruar një mjet të ushtrisë në fshatin Obot për të bërë transportimin e komunitetit, meqenëse segmenti rrugor që lidh Njësinë Administrative me këtë fshat është izoluar nga uji.

Lexo edhe:   Rudina Magjistarit i bejne surprizen gjigande ne TV Klan

Forcat e Armatosura kanë në gatishmëri batalionin e Vaut te Dejës dhe Batalionin e Mbrojtes Rajonale me mjete te kalueshmërisë larte dhe rreth 200 trupa për ndërhyrje ne rast të një evakuimi të mundshëm të popullsisë.

Në prefekturat e tjera nuk ka probleme (Tiranë dhe Durrës), pasi ka rënë niveli i ujit në rrugë dhe situata po normalizohet.