Manchester City ka mposhtur për të dytën herë brenda javës Arsenal-in me rezultatin 3-0, këtë herë në Emirates. Ishte sërish një ndeshje e pashpresë për vendasit, të cilët nuk arritën të dilnin në lojën e tyre, me City-n që ka bërë mbase pjesën më të parë të sezonit me tre gola brenda gjysmë ore lojë.

Qytetarët e nisën shumë mirë lojën dhe gjejnë golin e avantazhit me anë të Bernardo Siva-s i cili godet nga hyrja e zonës me të majtën topin që shkon në trekëndëshin e majtë. Por merita e golit ishte e Sane që dribloi tre-katër kundërshtarë përpara se t’ia pasonte topin portugezit.

Në minutën e 28’ vjen goli i dytë me anë të David Silva, i cili pas një kombinimi me Aguero brenda zonës e dërgon topin në rrjetë. Arsenal nuk është në fushë sërish dhe Sane trefishon rezultatin në minutën e 33’.

Pas pushimit Arsenal luan më lirshëm dhe del në sulm më shpesh. Aubameyang nuk shfrytëzon mundësinë më të mirë të vendasve kur humbet penalltinë në minutën e 52’.

Morali i Topçinjve është përtokë, megjithëse duhet thënë se në pjesën e dytë u munduan të bënin diçka për të justifikuar biletat e tifozëve.