Një foshnje 7 muajshe ka ndërruar jetë në QSUT që prej të hënës së kësaj jave, por lajmi u mësua vetëm sot (e premte). Qendra më e madhe shëndetësore në vend nuk ka bërë publike rastin e mortalitetit nga fruthi, për arsye që vetëm ajo mund ti dijë.

Burimet thanë se fëmija kishte ardhur nga Lezha me bronkopneumoni që është shkaktuar nga virusi i fruthit.

Numri i te prekurve nga virusi i fruthit në shërbimin e pediatrisë ka mbërritur 55 fëmijë. Po kështu janë edhe 10 persona të rritur që po mjekohen tek Infektivi i QSUT.

Eli Foto, mjeke në Pediatri tha për News 24 se: “Fëmijët janë të gjithë moshës 0-1 vjeç, janë të pa vaksinuar me vaksinën e fruthit.

Kemi një kontingjent të vogël të moshës 1 vjeç e gjysmë deri në 4 vjeç. Janë fëmijë, të cilët nuk janë vaksinuar për arsye të frikës se nga vaksina mund të shkaktohet autizmit. Janë të gjithë të pavaksinuar.

Kanë pasur komplikacione. Komplikacioni i parë dhe më i rëndë është të bësh penumoni, pastaj encefaliti por ne kemi pasur rastet me pneumoni. Deri tani kemi pasur një rast me fatalitet, me pneumoni të rëndë në moshën 7 muajshe”.