Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ka konfirmuar edhe zyrtarisht se ka marrë përgjigjen dhe ka dalë pozitive me koronavirus.

 

Ademi tha se ka bërë testin për sigurinë e saj dhe të familjarëve. Po ashtu, Ademi shprehet se ka pak kollë dhe temperaturë, duke shtuar se dyshon se është infektuar gjatë punëve në terren për bashkinë.

 

‘Ju falënderoj për interesimin për shëndetin tim. Përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë miqtë e mi gazetarë, drejtues mediash me të cilët kam bashkëpunuar në vite dhe janë interesuar përmes telefonatave apo mesazheve. Njëkohësisht falenderoj të gjithë familjarët e të afërmit, kolegët në punë, qytetarë që më kanë telefonuar e derguar mesazhe mbështetëse.

 

‘Ka disa ditë, ndoshta dy javë, që për shkak të angazhimeve lidhur me disa projekte që po zbatojmë në fshatra e në qytet, nuk kam qenë shumë e pranishme në mjediset e Bashkisë. Kam punuar e lëvizur në territor, dhe infeksionin mund ta kem marrë përmes kontaktit në terren. Për hir të realitetit, kam takuar njerëz, edhe pse jam përpjekur maksimalisht të ruaj distancën dhe të përdor maskën gjatë gjithë kohës’, u shpreh Ademi.