Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa deklaroi se pandemia e koronavirusit është ende në zhvillim, foli dhe për skenarët e përballjes me Covid-19 në vjeshtë e dimër, por përjashtoi mundësinë e një mbylljeje tjetër, qoftë kjo edhe lokale, në qytete si Tirana.

“Nuk parashikohet një mbyllje tërësore, do jemi në konsultim të ngushtë me komitetin e ekspertëve, do vlerësojmë masat që duhet të jenë për t’i zbatuar e jo neglizhuar, ashtu siç ndërmorëm masa të veçanta për maskat në ambientet e mbyllura,

si protokollet e sigurisë, mos harrojmë se kemi dy javë që kemi hapur shkollat dhe s’e kemi ende të matshëm efektin. Jemi përballë sfidash e të panjohurash, nuk e kemi kaluar ndonjëherë”,- tha ministrja në emisionin “Real Story”.

A do ketë lockdown lokal për Tiranën apo zona të caktuara?

Nuk rezultoi i suksesshëm as lockdown që u bë në Milano. Nga kjo epidemi kemi mësuar shumë, si mund të reagojmë në rast se kurba e infektimeve rritet. Strategjia efikase është gjurmimi dhe izolimi duke këputur zinxhirin e infeksionit – ky do jetë synimi ynë, do shtojmë gjurmimin e testimin, plus dhe ndërgjegjësimin.

Masat lokale në qytete të urbanizuara si Tirana janë të vështira, se gjithmonë do ketë intensitet të lëvizjes e shkëmbimit të qytetarëve, kështu që rezulton një masë jo efiçente.

Ne kemi një plan: kur ka një vatër të caktuar infeksioni dhe si izolohet kur është në një institucion, kopsht, çerdhe, biznes, fasoneri, këto protokolle i kemi zbatuar dhe kanë rezultuar efikase.

E kemi të qartë planin ç’duhet bërë, por kjo do vlerësohet në dinamikë e s’do ketë një plan të marrë ad hoc, do jetë shumë i vlerësuar.