Kreu i qeverisë Edi Rama ka pasur një intervistë mëngjesin e sotëm për televizionin Mega në Greqi, ku është ndalur sërish te çështja e kufirit detar, dhe te pretendimi i Greqisën për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon. Rama shprehet se në rastin kur zgjerimi nuk është i mundur për shkak të distancës së afërt mes dy shteteve, atëherë është e domosdoshme arritja e një marrëveshje mes qeverive.

 

“Ne nuk e mirëpritëm asnjë marrëveshje. Ne sapo kaluam një përvojë absurde tipike ballkanike dhe klasike të patriotizmit të rremë, i cili ndezi formën më ekstreme të zjarrit, pasi Kryeministri juaj iu drejtua parlamentit, gjatë diskutimit të marrëveshjeve detare me Italinë dhe Egjiptin.

 

Kishte një diskutim në lidhje me të drejtën e vendit për të zgjatur ujërat territoriale në 12 milje, e cila bazohet në traktatin ndërkombëtar të Montegos. Çdo vend që ka dalje në det ka të drejtën dhe nuk është diçka për të cilën negocioni ose kërkoni nga të tjerët të zgjerojnë ujërat tuaja atje ku është e mundur.

 

Kur kjo nuk është e mundur, vendet duhet të vijnë në një marrëveshje, ndërsa çështja midis Greqisë dhe Shqipërisë është e veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshjen ndërmjet tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur.

 

Ne jemi pranë njëri-tjetrit, nuk mund të bëjmë gjëra vetëm ose nuk mund të jetojmë pa e kuptuar dhe pa respektuar faktin që tjetri është pranë nesh. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje”, ka thenë Rama.

 

Kreu i qeverisë është shprehur më tej se së shpejti do të presë në Tiranë ministrin e jashrtëm grek, pse jo më pas dhe kryeministrin, për të diskutuar më nga afër çështjen eb detit.

 

“Pas disa javësh unë do të pres Ministrin e Jashtëm në Shqipëri për të diskutuar këtë çështje dhe menjëherë më pas shpresoj të pres Kryeministrin grek. Ai vetë ka vizituar Shqipërinë përpara se të merrte post politik dhe është koha që ai të kthehet. Babai i tij ishte zyrtari i parë grek që vizitoi vendin edhe para rënies së regjimit. Ishte një vizitë shumë interesante dhe e rëndësishme”, ka deklaruar kryeministri Rama.

 

Ndërkohë që lidhur me konfliktin që prej kohësh vijon që të jetë i ndezur mes Greqisë dhe Turqisë, Rama është shprehur pa rezerva për miqësinë e tij me Erdogan.

 

“Jam krenar që e kam mik. Greqia dhe Turqia janë dy vende mjaft të afta të zgjidhin vetë çështjet e hapura. Mesa duket kanë pikëpamje kontradiktore, por është në interes dypalësh të përbashkët të zgjidhin konfliktete e të ndërtojnë sëbashku të ardhmen”, ka deklaruar kreu i qeverisë.