Një rrëfim prekës është marrë jashtë ambienteve të Spitalit Infektiv nga ku ndodhen një pjesë e madhe e të sëmurëve me COVID-19 në gjendje jo të mirë shëndetësore. Familjarët presin për ndonjë fjalë a lajm për të afërmit e tyre dhe ende shpresojnë por ankohen për mungesë informacioni.

 

Një qytetare tregoi për gazetaren Fiona Çelo se nëna e saj ka ardhur në gjendje më të mirë dhe me një burim oksigjeni por se tani është përkeqësuar dhe i kanë thënë se nuk ka shpresa. Gruaja e identifikuar si Elsa Bita u shpreh se mamaja e ka këshilluar që të mos flasi jashtë për gjendjen brenda Infektivit pasi e keqtrajtojnë.

 

Gjithashtu ajo u shpreh se e ëma e saj i ka thënë se në spital nuk i japin as ujë dhe as nuk e ndërrojnë, madje thekson se ndihet pishman që e solli mamanë në Infektiv pasi ishte mirë dhe tashmë pritet të vdés.

 

“Kam mamin këtu, nuk kam marrë informacione. Kushtet brenda janë skandaloze. Mami sa ishte me gojë e fliste, më thoshte nuk më japin ujë, më thahet goja, mbushin nga rubineti. Nuk më ndërrojnë. Doktoresha më ka thënë që është para intubimit, nuk bëhet më. Nuk e kam takuar doktoreshën. Iu kam kërkuar t’i japin vetëm pak ujë. Dje ia hoqën pak i dhanë ujë, piu pak e lagu buzën. Sa i vënë aparaturat nuk duan t’ia dinë më. Koordinatorët janë të patrajnuar, sillen shumë keq. Nuk japim dot informacion thonë. Të paktën t’i japin bebelinat.

 

Kam 8 ditë këtu. 6 ditë kam fjetur në makinë dhe 2 ditë në hotel. Kur erdhi ishte në gjendje të mirë, fliste, me një burim oksigjeni ka qenë. Tre ditë ishte ashtu. Më thoshte pse ankohesh jashtë se më bërtasin brenda. Çfarë të them. Jam pishman që e solla këtu. I thashë doktoreshës ma jep ta çoj në shtëpi, ta shtrëngoj në krahët e mi, të japë frymën e fundit. Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz, na dhemb shpirti, na dhemb xhani. Të na thonë një fjalë, të ketë një zyrë informacioni, të marrim informacion, si është gjendja”.- tha Elsa Bita.