Dentistët shprehen se si rezultat i përdorimit të shtuar të maskave, si pasojë e situatës së krijuar nga virusi, një numër i madh pacientësh kanë shfaqur sëmundje të mishrave dhe aromë të keqe të gojës.

SHBA- Në një kohë që gjithë mjekët në botë po bëjnë thirrje që qytetarët të mbajnë maskën për t’u mbrojtur nga koronavirusi, vjen një lajm tjetër nga stamotologët, të cilët kanë deklaruar se mbajtja e maskës shkakton shumë efekte anësore për dhëmbët e qytetarëve.

Së fundmi sikurse raportojnë edhe mediat e huaja, ata shprehen se si rezultat i përdorimit të shtuar të maskave, si pasojë e situatës së krijuar nga virusi, një numër i madh pacientësh kanë shfaqur sëmundje të mishrave dhe aromë të keqe të gojës.

Dentisti amerikan, Rob Ramondi u shpreh se rreth 50 % e pacientëve të tij janë duke u ndikuar nga përdorimi i maskave të fytyrës.

“Ne po shohim inflamacion në mishrat e pacientëve dhe po përballemi me probleme që nuk i kemi hasur më parë.”- ka thënë ai.

Si pasojë e përdorimit të maskës, individët marrin frymë më shumë nga goja se sa nga hunda.

Ramondi u shpreh se kjo mund të shkaktojë një gojë të thatë, e cila çon në një ulje të pështymës dhe pështymë është ajo që lufton bakteret dhe pastron dhëmbët.