Në kuadër të motos “Udhëto Shqip, Pusho Shqip”, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, mëngjesin e së mërkurës ka sugjeruar Bogën, që ndodhet në zonën e Shkodrës, në aksin rrugor që të drejton drejt Thethit.

Ministri nënvizon se për të apasionuarit e turizmit malor, Boga është një domosdoshmëri. “Qetësi, ajër i pastër dhe male të larta përreth që të mbushin zemrën. Boga është një domosdoshmëri për ata që preferojnë turizmin malor. Pak kilometra më tej mund të gjeni një ndër panoramat më fantastike të veriut, në Qafë-Thorë”, – thekson Klosi.

Boga nga Tirana është 149 kilometra dhe realizohet për rreth dy orë rrugë me autoveturë. Ndërkohë nga qendra e Shkodrës, Boga është 47 kilometra dhe realizohet për 58 minuta. Për të apasionuarit e malit, Boga është një pikënisje e aventurës mes Alpeve shqiptare, të cilat fshehin në gjirin e tyre shtigje magjike, që mbeten për t’u zbuluar nga turistët.

Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme ilire, sipas të dhënave rezultojnë të kohës romake dhe datojnë nga fundi i shekullit II – shekullin III pas lindjes së Krishtit.

Lugina e Bogës është me origjinë akullnajore. Kjo luginë ka formën e një rrethi ku malet që e rrethojnë formojnë kolona me lartësi mbi 2000 metra. Nga malet që e rrethojnë, kur shkon për në Bogë, nga e djathta shtrihet maja e Rabës, e cila ndodhet 2 222 metra mbi nivelin e detit, vazhdon më tej me malin e Çardakut

2 250 metra mbi nivelin e detit dhe me majën e Shtegut 2 083 metra mbi nivelin e detit, ku lidhet me malin e Radohinës dhe me malin e Arapit që e ndajnë nga lugina e Thethit, ndërsa në krahun e majtë, shtrihen Mali i Pultinzes, më pas mali i Dragomirit, mali i Bridashës e pastaj maja e Vuklin ku lidhet me Radohinën.

Boga, për arsye të karstit, ka shumë shpella dhe galeri nëntokësore të cilat i plotësojnë kërkesat e eksploratorëve të ndryshëm duke ia shtuar kështu vlerat turistike kësaj zone. Boga dhe zonat përreth, shquhen në fushën e prodhimeve blegtorale,

të artizanatit, të prodhimeve artistike me dru me karakter kombëtar, të cilat e pasurojnë dhe e bëjnë më të larmishme tregun e produktit turistik të kësaj zone. Po ashtu popullsia e kësaj zone trashëgon traditat më të mira shqiptare si, mikpritjen, besnikërinë, bujarinë dhe vlera të shumta morale.

Në Bogë është e mundur të zhvillohen sporte siç është alpinizmi i cili mund të aplikohet me ngjitje në majat që janë përreth kësaj zone. Larmia e relievit krijon mundësi për ngjitje alpine të kategorive të ndryshme si për fillestarë ashtu edhe për profesionistë. Po ashtu në këtë zonë mund të zhvillohen: gara ose ecje me kuaj (hipizëm), shëtitje me biçikleta… etj.

Boga ofron mjaft interes edhe për turizmin e vëzhgimit. Kjo zonë ofron interes të veçantë gjithashtu edhe për zoologët, sepse numri i shpendëve dhe i kafshëve të egra është mjaft i madh si në lloje, ashtu edhe në sasi.

Duke qenë se në afërsi të kësaj zone ndodhen edhe pika të tjera turistike, siç janë ato të Razmës dhe Thethit, ndërthurja e këtij destinacioni me zonat përreth në paketat turistike, përbën një mundësi më shumë për zhvillimin e turizmit.