Kjo e mërkurë e ka gjetur vendin nën “pushtetin” e reshjeve të shiut! Për pushuesit e këtij fillim gushti, këto dy ditë nuk ka plazh, pasi reshjet e shiut do të zgjasin deri nga fundjava, ku pritet të ketë një përmirësim të motit. Reshjet e shiut kanë qenë me dendësi të lartë në shumë qytete.

Në Vlorë, era e fortë ka marrë me vete shezlonge dhe çadra. Ajo që ka lënë pas është një pamje jo shumë e bukur për askënd, aq më tepër për pushuesit.

Teksa në Vlorë, shiu u ka “shkatërruar” pushimet, në Fier ai ka shërbyer për shuar flakët e zjarrit në Seman, të cilët forcat zjarrfikëse po mundoheshin prej tre ditësh.

I “mezipritur” shiu ka qenë edhe në Kukës. Pas disa muajve thatësirë, reshjet kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, i cili aktualisht është 279 m mbi nivelin e detit.

Ndërkohë, edhe basenet kryesore të qytetit që furnizojnë me ujë të pijshëm janë mbushur plot, duke bërë që banorët të mos kenë mungesa siç kanë ndodhur në dy muajt e fundit. Megjithatë, shiu ka shkaktuar probleme në disa prej rrugëve kryesore si pasojë e amortizimit.

Reshje të dendura shiu ka pasur edhe në Gjirokastër. Si pasojë e rrëzimit të një peme ka bllokuar aksin nacional Gjirokastër- Kakavijë në afërsi të Lazaratit, duke shkaktuar radhë të gjata kilometrike të automjeteve në dy kahet e rrugës.