Kampion në tapet dhe në jetë, për Tonin Demën sot është një ditë e veçantë…

Mundja shkodrane në vite ka nxjerrë emra shumë të mëdhenj të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti me sukseset e shumta që kanë arritur. Njëri prej tyrë është edhe disa herë kampioni i vendit,

Tonin Dema. Do të ndalemi sot tek ky personazh ngaqë ka ditëlindjen, feston 65 vjetorin e lindjes.

Ai ka lindur në Shkodër më 1 gusht 1955 ndërkohë që sportin e mundjes e ka filluar në moshën 14 vjeçare me trajner të parë, të mirënjohurin Gjovalin Çuni. Me kalimin e kohës, do kalonte edhe nëpër duart e trajnerëve të tjerë si të madhit Njazi Bushati e më pas, të Hamza

Çelës, Zuk Çelës e për të përfunduar tek Eljaz Ahmeti. Në vitet 1972 dhe 73, ai shpallet kampion me të rinjtë dy herë rresht, madje në vitin 1973, merr edhe kupën e mundësitë më të mirë të kampionatit.

Kalon me të rriturit dhe aty sukseset janë të pafund për të. E fillon me fitoren e titullit kampion dhe të kupës së Republikës në vitin 1976, e po ashtu, të dy sukseset edhe në vitin 1977. Në vitin 1978 është nënkampion, për t’u rikthyer sërish tek titulli kampion në vitin 1979 dhe 1980. Pastaj dy herë nënkampion në vitet 1981 dhe 82 për të dalë për të pestën herë kampion i vendit në vitin 1983.

Tonin Dema ka edhe një medalje të artë në Spartakiadën e tretë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1979 ku fitoi në finale ndaj mundësit Baftjar Bekteshi ndërsa në finalen e Spartakiadës së katërt Kombëtare të vitit 1984, ai ka zënë vendin e dytë sepse ka humbur në finale ndaj mundësit më të mirë të kohës, Dëfrim Koçit me rezultatin e ngushtë 1-0.

Nini e ka lënë sportin në vitin 1984, teksa karrierës individuale i ka bashkangjitur edhe 14 trofetë ekipore apo dhe 25 ndeshjet e fituarq në po aq të zhvilluara në garat ekipore. Menjëherë ka nisur edhe punën si zëvendëstrajner i ekipit të mundjes së Vllaznisë duke qenë krahu i djathtë i trajnerit Eljaz Ahmeti.

Këtë detyrë e ka kryer deri në vitin 1988 ndërsa më pas për dy vjet me rradhë drejton ekipin e të rinjve duke marrë kupë dhe kampionat në drejtimin e tij.

Kaq ishte karriera në sportin e mundjes për këtë figurë të njohur të sportit shkodran. Kjo ngaqë më 14 janar 1990 do përfundonte në burg. “Kam qenë i burgosur politik sepse kam dalë shpeshherë kundër regjimit komunist. Kam qenë ndër inisiatorët dhe protagonistët e rrëzimit të bustit të

Enver Hoxhës në Shkodër më 13.12.1990 dhe po ashtu edhe një pjesmarrës aktiv në ngjarjet e 2 prillit 1991. Pikërisht për këto gjëra, Presidenti i Repulikës së asaj kohe, Sali Berisha më ka dekoruar me dy “Medalje Trimërie”- thotë Dema për “Shkodra Sport”.

“Nuk e kam dashtë komunizmin asnjëherë por edhe njerëzit e majtë nuk më kanë dashur. Mjafton të them për këtë dy shembuj. Titulli Mjeshtër i Merituar i Sportit i është akorduar në vitin 1995 por ai i është dhënë 10 vjet më vonë, më 2005 sepse atë periudhë drejtonte Partia Socialiste dhe ata nuk mund të pranonin të nderonin një kundërshtar të tyre.

Po ashtu, gjatë asaj periudhe u bë një libër për historinë e mundjes shqiptare por autorët e atij libri, çuditërisht më kanë hequr dy titujt që kam patur si trajner i ekipit të të rinjve të Vllaznisë e po ashtu askund nuk figuronte

titulli Mjeshtër Sporti për mua”- shton ai.

Pavarësisht këtyre gjërave, ka vazhduar të bëjë punën e tij. Ka vazhduar të punojë me ndershmëri, të kërkojë një jetesë më të mirë për veten dhe familjen time madje duke emigruar në vitin 1997 drejt Italisë, vend ku jeton edhe sot e kësaj dite. Por Tonin Dema ka edhe gjëra të tjera shumë interesante në karrierën e tij si sportist. Ai ka konkurruar jo në një peshë por në katër të tilla e kjo tregon atë egon e madhe të tij.

Gjë e rrallë kjo në fakt për një mundës megjithatë Nini se kishte problem t’i sfidonte të gjithë pavarësisht se peshat e mesme ku ai ka konkurruar, kanë patur gjithmonë rivalitetin më të madh. Për Tonin

Demën ka patur vetëm një peng, thirrjen në ekipin kombëtar. Gjatë periudhës së karrierës të tij, sporti i mundjes nuk ka marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare. Kjo ngaqë, në fillim të viteve ’70, Shqipëria ishte pezulluar nga Federata Europiane ngaqë ajo kishte refuzuar të ndeshej në tapet me mundësit e Bashkimit Sovjetik, Spanjës dhe Izraelit.

Shumëkush që e njeh pas viteve ’90, ndoshta e mban mend vetëm si trajner boksi. Tonin Dema, vërtetë ka kontribuar për rreth 7 vjet si trajner i ekipit të boksit të Vllaznisë, ka qenë ndër të parët që ka punuar për të ringjallur këtë sport pas ardhjes së Demokracisë sëbashku me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Viktor Martinin, Ramiz Halilin e Kujtim Demin. Megjithatë karriera e tij brilante është ajo e mundësit.

Një mundës kampion, një sportist shumë i fortë i cili ka lënë gjurmët e tij tek ky sport. 5 titujt kampion si individ dhe 14 trofetë e fituara si pjesë e ekipit të Vllaznisë, përbëjnë aureolën e sukseseve të tij. Me me rastin e ditëlindjes, i urojmë Tonin Demës edhe 100 vite të tjera të lumtura. /Nga Gjergj KOLA/

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...