Klubi i Futbollit i Vllaznisë i ka dërguar një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit përmes të cilës kërkon përfshirjen e ndeshjes Vllaznia- Besëlidhja në listen e përballjeve që luhen me tifozë.

Sipas klubit, jonë është një “finale” dhe për më tepër, një ndeshje që pritet me shumë interes nga tifozëritë e të dy ekipeve.

“Për këtë arsye, kërkojmë nga ana Juaj që përpos dëshirës për të patur tifozë në ndeshjen finale të Kupës, ato të lejohen konform rregullave dhe distancimit edhe në ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja”, shkruhet ndër të tjera në këtë kërkesë.

KËRKESË DREJTUAR FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT:
KF Vllaznia është njohur përmes mediave por edhe përmes faqes tuaj zyrtare, me një kërkesë që Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë instancave shtetërore për ta luajtur me tifozë ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë duke marrë edhe shembullin e Francës, ku finalja e Kupës u zhvillua me tifozë në tribunat pas porte. Në këtë kontekst, do të dëshironim që në kërkesën tuaj ndaj instancave shtetërore të përfshini edhe ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja.

Vërtetë finalja e Kupës së Shqipërisë është finale, por edhe sfida jonë është një “finale” dhe për më tepër, një ndeshje që pritet me shumë interes nga tifozëritë e të dy ekipeve. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana Juaj që përpos dëshirës për të patur tifozë në ndeshjen finale të Kupës, ato të lejohen konform rregullave dhe distancimit edhe në ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja. 16 mijë vendet që ka stadiumin “Loro Boriçi” janë një mundësi shumë e mirë që në stadium të ketë një numër të kufizuar tifozësh dhe duke respektuar rregullat e distancimit. Mbesim me shpresën e plotësimit të kësaj kërkese! KF VLLAZNIA

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një kërkesë të papritur që ka të bëjë me kthimin e tifozëve në finalen e Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohet të dielën në orën 20:00 në ‘Air Albania Stadium’. Një hapje për publikun e kufizuar në sektorët pas porte ku mund të vendosen mbështetësit e Tiranës dhe Teutës.

Një kërkesë e FSHF-së ndaj autoriteteve që lejoi rreth 2 muaj më parë të riniste aktiviteti futbollistik, por me dyer të mbyllura dhe me një protokoll shëndetësor të përcaktuar për të parandaluar infektimin me Covid-19.