Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar pas vdekjes së 27-vjeçarit sot në Infektiv, i cili ishte i prekur nga koronavirusi, por dhe sëmundje bashkëshoqëruese. Kjo qendër ka mohuar akuzat, ndërsa theksoi se të riut nga Kavaja i është ofruar shërbim.

Sipas Urgjencës, “27 vjeçari ka marrë ndihmën mjekësore për disa ditë në spitalin infektiv, ku megjithë përpjekjet e stafit, nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e aksidentit cerebral vascular. 27 vjecari vuante nga një sëmundje e lindur e gjakut dhe ishte asimptomatik për COVID19.”.

REAGIMI I URGJENCËS KOMBËTARE

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore sqaron opinionin publik në lidhje me humbjen e jetës së 27 vjeçarit nga Kavaja. QKUM ngushëllon familjarët për humbjen e jetës së djalit 27 vjeçar.

Lidhur me dezinformimin e përhapur në media se të riut i është mohuar shërbimi mjekësor, sqarojmë si vijon:

Pacienti me inicialet A.C, 27 vjeç, ka telefonuar për herë të parë në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127, në datën 21 Korrik, rreth orës 14:00. Pacienti referon se është Covid-19 pozitiv dhe vuante nga drepanocitoza dhe hepatiti B. Ka shkuar ekipi mjekësor i spitalit Kavajë dhe pasi e ka bërë vizitën mjekësore ka aplikuar një terapi për qetësimin e simptomave të sëmundjes.

Pacienti ishte vizituar edhe nga një mjek pneumolog dhe kishte bërë një konsulencë me mjekun hematolog. Pas një ore qytetari telefonon përsëri 127 duke referuar se nuk po qetësohej. Është dërguar përsëri ekipi mjekësor dhe pacienti është transportuar në spitalin Infektiv në QSUT në Tiranë, ku është shtruar që prej datës 21 korrik me kod të verdhë, brenda ditës kur ka telefonuar. (rekordet bashkëlidhur).