Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

Sipas këtij vendimi të qeverisë, janë pezulluar veprimtaria në kopshte publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive. Po ashtu është pezulluar puna në tregjet publike, të automjeteve dhe tregjet e kafshëve.

Me masat e reja pezullohen ceremonitë fetare; si dhe ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

Ndërkaq, të gjithë operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare janë të obliguar që të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal.

Në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Kosovës, të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës.

Nga ky vendim i qeverisë përjashtohen të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, gjatë hyrjes përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, por ata do të nënshkruajnë një deklaratë ku deklarohen se në afat prej 3 orëve do ta lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës.

Edhe qytetarët e këtyre vendeve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtim në vendet e treta, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT- PCR.

Transportuesit që vijnë nga këto vende në Kosovë, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar.

Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja te rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve. Të liruar nga obligimi për prezantim të testit RT-PCR janë edhe diplomatët e huaj nga shtetet e lartë cekura që janë të akredituar si edhe familjarët e tyre.

Gjithashtu janë liruar nga prezantimi i testit RT-PCR të gjithë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse kanë vendbanim në Kosovë. Për qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike sipas vendimit të qeverisë mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit nga orë 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00.

Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizik jashtë shtëpive apo banesave të tyre në komunat në: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 të gjithë banorët e Kosovës obligohen që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive apo banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metra në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Personat që nuk zbatojnë distancën fizike dhe vendosjen e maskave gjobiten me 500 euro

Për mbikëqyrjen e masave të qeverisë është i autorizuar Inspektorati sanitar, që funksionon në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës. Inspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se të hënën ka filluar zbatimi i vendimit të kryeministrit për respektim të maskave dhe distancës.

“Në nivel të Kosovës që nga ora 09:00 i tërë Inspektorati janë në terren për zbatimin e vendimit të kryeministrit për respektimin e maskave dhe distancës sociale në qytetet.

Personat të cilat hasen që nuk janë duke zbatuar masat do të vendoset masa e gjobës në vlerë prej 500 euro bazuar në Ligjin për sëmundje ngjitëse dhe ligjin për kundërvajtje, ndërsa për persona juridik që nuk e zbatojnë ligjin gjegjësisht vendimin e kryeministrit do të shqiptohet masa e gjobës deri në 1000 euro”, tha Tërshnjaku.

Në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk e zbatojnë masën e përgjithshme ose të posaçme për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse kur kjo është e domosdoshme mund të dënohen nga 1.000 deri në 8.000 euro.

Tëshnjaku thotë se sa i përket respektimit të masave për mbyllje të aktiviteteve ekonomikëe dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve pas orës 21:00 subjektet juridike pothuajse se po zbatojnë në tërësi.

“Mbrëmë në nivel të Kosovës kemi mundur të gjejmë vetëm një subjekt ekonomik që ka shkelë ligjin dhe gjashtë persona fizik që kanë lëvizur jashtë orarit të caktuar”, tha Tërshnjaku.

Policia e Kosovës të hënën është parë në kryeqytet duke ndaluar qytetarë të cilat nuk kanë respektuar masën për mbajtjen e maskave dhe distancën fizike.