Kryetarja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, Eugena Tomini ka folur sot lidhur me situatën që po kalon vendi me Covid-19.

Tomini paralajmëroi se “moszbatimi i masave do të çojë në mënyrë të pashmangshme drejt marrjes së masave të reja si oraret e frekuentimit të ambienteve publike dhe ndëshkimi me gjoba”.

Tomini deklaroi se ka një indicie nga indikatorët matës që do të çonin drejt masave të tilla si rikthimi i karantinës apo kufizimi i lëvizjeve, ndërkohë që në qendër të vëmendjes janë kryesisht ambientet publike të punës, argëtimit apo frekuentimit për arsye të ndryshme.

“Janë duke u vlerësuar dhe monitoruar masat, jo vetëm vendosja e gjobave, por edhe rekomandimi dhe më pas nëse nuk zbatohet edhe praktikohet gjobëvënia. Të gjitha palët kanë interesin e përbashkët, të vijojë procesi ekonomik por edhe të ndërpritet zinxhiri i përhapjes. Për mbylljen e bareve apo restoranteve, do të jetë një vlerësim në kohë pas matjes së indikatorëve. Duhen matur parametrat jetësorë sa i përket intensitetit, për të shkuar në masat për të kaluar në karantinë apo masat ndaj bizneseve bar-restorante.

Nëse në orët e vona të mbrëmjes nuk konsumohet një kafe në interval kohe të shpejtë, por një pije tjetër dhe kohëzgjatja e një grupi shoqëror…. ne kemi ambiente mjaft të frekuentuara gjatë mbrëmjes, nga moshat rinore sidomos. Duhet theksuar se pavarësisht se nuk kanë qenë shumë raste prej tyre të infektuar bëhen shkas për transmetimin e infeksioneve. Grumbullime të tilla transmetojnë Covid drejt personave simptomatikë dhe që kanë sëmundje të tjera”.

Tomini tha se përdorimi i maskave do të bëhet i detyrueshëm dhe shtoi se ky është një vendim i Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Përdorimi i maskës do të jetë një domosdoshmëri imediate, dhe është marrë parasysh nga Komiteti Teknik i ekspertëve. Maska tashmë do të kthehet në domosdoshmëri për t’u mbajtur në të gjitha ambientet e mbyllura dhe ku nuk respektohet distancimi fizik. Në mjedise institucionale, publike dhe jo publike. Në rrugë duhet distancim fizik dhe aty ku nuk respektohet duhet mbajtja e maskave”, tha zonja Tomini në Fax News.

Sipas ekspertes, “vendosja e maskave dhe distancimi fizik shoqëruar me higjenën bëhen të rëndomta, por janë të domosdoshme, pasi përmes spërklave është mënyra më e shpeshtë e transmetimit të infeksionit”.