Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i ish-kreut të bashkisë Vorë, Agim Kajmakut, i cili aktualisht po mbahet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

 

Agim Kajmaku u ndalua në spitalin privat “Continental” në Tiranë, pasi ishte paraqitur atje në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi vuante nga diabeti. Mjekët e spitalit “Continental” pasi e kanë identifikuar kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila më pas ka bërë arrestimin e ish-kreut të bashkisë.

 

Kajmaku akuzohet për “falsifikim i vulave dhe formularëve”, “falsifikim i dokumentave zyrtare” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies së tij”, dhe prej muajsh ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë.

 

Po ashtu ndaj tij rëndon edhe akuza e ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të tyre, pasi ditën e fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ndërpreu mandatin, ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë.

 

Në të njëjtën ditë, në vend të tyre ai emëroi nënkryetar Gentian Picari. Akuza e tretë është ajo e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.

 

Kajmaku ishte në kërkim që prej muajit nëntor, për emërime të paligjshme, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

 

Ish-kryebashkiaku socialist nuk deklaroi dënimin e tij në Greqi kur kandidoi në zgjedhjet vendore të qershorit 2019.