Marr shkas nga tragjedia e fundit e ndodhur, si dhe për borxh moral ndaj disa personave me vlerë që unë kam njohur në jetën time, të cilët kanë zgjedhur ta shohin Zotin përmes besimit Jehova. Zgjodha posaçërisht ta përgjithësoj titullin, si kundërpërgjigje ndaj atyre që zgjedhin të asociojnë një besim të tërë me një rast tragjik të ndodhur. Tradicionalisht edhe unë i përkas një besimi fetar, por personalisht kam zgjedhur ta besoj dhe njoh Zotin në formën time

Me këtë dua të them që jam besimtare, por jo praktikante e rregullt e ndonjë feje dhe s’kam asgjë në kundërshtim me praktikat fetare, përkundrazi mendoj sa më shumë të tillë të jenë, aq më shumë do të predikojnë dhe shtyjnë njerëzimin drejt prosperitetit shoqëror. As nuk diskutohet që në përmbajtjen e pastër të secilës doktrinë fetare qëndron toleranca dhe respekti, kështu që çdo lloj ekstremizmi është puro egoist dhe i lidhur me interesa e shtysa, të cilat s’kanë në qendër Zotin as dashurinë. Në këto raste, përveç distancimit, jam për ndërhyrje të forte të ligjit.

Gjithsesi, pa dashur të analizoj fatkeqësitë e njëpasnjëshme të familjes Josifi si dhe shkaqet që mund t’i kenë shtyrë ato zonja të shkreta të ndërmarrin një sërë veprimesh radikale me jetën e tyre, dua të ndaj me ju refuzimin tim për të pranuar së promotor i këtyre akteve të dhimbshme mund të jetë besimi Jehova

Disasocimi konitiv (depersonalizimi dhe derealizmi) njihen në psikologji dhe janë probleme që lidhen kryesisht me periudha katastrofash apo traumash të renda individuale, ku njeriu humbet kontaktin me realitetin, prandaj nuk është e drejtë t’i atribuohen një besimi fetar, pa prova e fakte, vetëm e vetëm se zonjat në fjalë kanë qenë praktikante. Sa katolik, musliman e ortodoks vrásin veten në vit në Shqipëri?! Po në botë?! Pandemia është një prej motivuesve kryesor të vetëvrásjeve në botë, kohët e fundit, dhe kjo pikërisht për disasocimin konjitiv dhe demet që shkakton në psikën e disa njerezve më të ndjeshëm. Sa i përket sfondit fetar, nuk ka vdèkjé aq tragjike sa vetëvràsja, që nuk e përmban në një formë apo tjetër, por kjo nuk përmbush dot një provë për të akuzuar një doktrinë fetare apo komunitet të tërë si bashkëpunëtorë.

Kush merr përsipër të kryejë një akt kaq të rëndë, ka gjithmonë nevojë për një motivim madhor, i cili nuk lidhet me Tokën, sepse përndryshe nuk do të ishte nevoja të arrinte deri aty. Gjithmonë në fakt, mundohem të analizoj fenomenet dhe të mos nëpërgoj personat, aq më tepër të gjykoj dikë që zgjedh t’i japë fund jetës së vet dhe të jem unë në pozitat të them se si e pse e bëri, por rasti i fundit është paksa delikat, pasi përveç dramës së kësaj familje, disa po mundohen ta përdorin për të inkrìminuar një formë besimi, kur zgjedhja dhe praktimi i tij në Shqipëri është i lirë. Kjo familje është përballur me fate vertetë tragjike, vdèkjá e burrit, vdèkjá e dhëndrrit, vdèkjá e vajzës, e ku rradha e fatkeqësive zgjatet aq shumë, sa nis e bëhet e papërballueshme nga anëtarët e tjerë edhe sikur të ishin nga mendjet më të kthjellta. Edhe njerëzit më normal të mundshem, vjen një pikë e dorëzohen duke tërhequr njeri- tjetrin brenda në dramë.

Situata arrin deri aty, sa nuk kuptohet me ku mbaron tmérri e ku nis jeta. Dhe kjo nuk ka lidhje me fantazitë e shumta që kam lexuar këto ditë në media, që jo dëshmitaret e Jehovait thonë se 144 mijë vetë do të shpëtojnë, jo sillen gjithë ditën rrugëve pa punë, etj.

Këto muhabete janë për kur nuk ke me çfare merresh. Dëshmitarët e Jehovait besojnë dhe predikojnë Biblën, identike me atë të feve të tjera të krishtera, e cila s’përmban definime të tilla. Besimi Jehova ndryshon nga besimet e tjera vetëm në rang procedure. Nuk kanë piktura si të katolikëve, priftat martohen si ortodoksët, nuk festojnë ditëlindje, që më duket e çuditshme, nuk marrin pjesë në cerimoni dasmash pa celebrim ligjor, që edhe kjo më duket ençuditshme, nuk pranojnë gjak, përveç një versioni fiziologjik, ka një shpjegim shkencor ky, por që se njoh mirë si argument dhe tentojnë të martohen mes tyre, që edhe pse nuk e ndaj, një gjë të tillë tentojnë ta propagandojnë të gjitha fetë.

Pra këto janë gjërat më të “tmérrshme” të dëshmitarëve të Jehovait. Asgjë më shumë. Sa i përket punës, unë njoh shumë praktikantë të besimit Jehova, të ndershëm dhe tepër të dedikuar. Vetë forma se si funksionon bashkësia e tyre, sepse e kemi diskutuar shpeshherë, ka një model, që jo çdokush mund ta përballojë. Që do të thotë se një deshmitar jo vetëm nuk paguhet nga bashkësia, por ai paguan një përqindje mujore nga paga e tij për të mbajtur kishën me gjithë infrastrukturën e saj. Plus duhet të dali në sherbim çdo ditë, dy orë dhe këtë duhet ta bëjë të gjithë jetën vullnetarisht. E pikërisht ky vullnetarizëm aspak tipik për botën e sotme, i sit njerëzit që në filllim dhe lejon të afrohen vetëm ata më të devotshmit ndaj Zotit e besimit. Unë personalisht u kam rekomanduar shumë shpesh miqve të mi, sidomos kur kishin punë ekonomike me çeshtje besimi të lartë, që ti përfshinin edhe dëshmitarët e Jehovait, kjo jo për të gjykuar e paragjykuar në bazë të besimit, por sepse personalisht kam patur eksperiencë shumë të mirë bashkëpunimi dhe gëzoj tepër respekt për ndershmërinë e tyre.

Them kur këta individë i përkushtohen Zotit pa asnjë interes dhe vetëm japin nga vetja e vet, pse do ti bëkan njeriut keq?! E di, ju dukem naive, por jam totalisht kundër këtij lloj linçimi në media, aspak të drejtë, që bëhet kryesisht për klikime vetëm sepse emërtesa dëshmitar i Jehovait, zgjon kuriozitet. Forma të tilla, të rrëmbyeshme, pa argumenta e prova reale dhe ku të gjithë vrapojmë ta drejtojmë gishtin si majmunë, nxjerrin në pah karakteristikat tona primitive dhe paragjykuese, të cilat i kemi sot e gjithë ditën, por të pakten për fasadë të mundohemi ti fshehim! /Nga Keti BAZHDARI/