Anila është “arkivë” e gazetarisë së shkruar për Shkodrën nga fillimi i viteve 2000 e deri tani. Të gjithë kolegët papërjashtim, kur kanë nevojë për informacione të viteve të shkuara, veçanërisht atyre që lidhen me “kronikën”, e gjejnë “dermanin” tek Anila.

Gazetaria nuk është i vetmi dimension i Anila Dushit. Përveç mediave lokale e kombëtare, të shkruara e audiovizive, Anila ka kontributin e saj edhe si pedagoge e jashtme për 5 vite në Degën e Gazetarisë në Shkodër.

Ndërsa këto ditë, mund të thuhet se Anila ka shpalosur një tjetër dimension, atë të autores së një monografie për një nga ikonat e skenës e ekranit shqiptar, Pavlina Mani. Në fakt, kolegia jonë ishte prezantuar me publikun si autore që në vitin 1998, me një vëllim me poezi “Këngët e dhimbjes”. Por ky botim, padyshim përbën një hapë cilësor por edhe realizimin e një ëndrre për Anilën.

Këtë libër mund ta konsiderojmë një dhuratë për Pavlinën, gruan në përgjithësi por edhe vetë Anilën. Pavlina Mani është imazhi i gruas që e frymëzoi Anilën, edhe në momentet më të vështira të saj.

Këtë libër autorja Anila Dushi thotë se e ka konsideruar “një mal për tu ngjitur” por nuk u lodh asnjëherë pasi ndihet e plotësuar që ka shkruar për një artiste të madhe, ndër më të shquarat e aktrimit shqiptar, e rreshtuar në rradhën e parë të ikonave të këtij arti magjik dhe të përjetshëm. Ata që e njohin Anilën, e dinë se këmbëngulja është një nga pikat e saj të forta dhe ky libër, është vetëm një tregues.

Nuk ka dyshim që libri do të jetë i mirëpritur jo vetëm nga kritika, por edhe lexuesit të cilët do të kenë mundësi ta kenë kopjen e tyre, nisur edhe nga çmimi shumë i arsyeshëm vetëm 600 lekë. Kopertina, ndërthurja e imazhit të Pavlina Manit në meditim me fytyrën e mbështetur në pëllëmbë, në krah ndertesda në këmbë e Teatrit Kombëtar, janë “porta” e parë që të nxit për të trokitur e për tu “humbur” në faqet e kësaj monografie.

Urimet më të mira për kolegen tonë, sukesese të mëtejshme por edhe një sugjerim shumë miqësor: Meqenëse tashmë “ia ke marrë dorën” monografive, fillo edhe me figurat e mirënjohura të Shkodrës, në art, kulturë, shkencë, sport etj…! Përgëzime Anila! /ShkodraWeb Media/