Ndërkohë që emri i George Floyd po qarkullon në çdo media botërore, disa foto me protagonistë personazhet e serialit të famshëm The Simpsons po bëhen virale. Në rrjetet sociale ka pafund postime që supozojnë se The Simpsons kanë parashikuar situatën aktuale shumë vite më parë.

 

Në fakt, seriali famshëm njihet për disa parashikime, por a është ky një nga ato raste?

Jo, nuk është! Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për një parashikim të The Simpsons, pasi fotot virale janë një krijim i Yuri Pomo, një krijues italian që njihet për animime të tilla. Vitin e kaluar, Pomo u bë i famshëm pasi shndërroi shumë VIP-a në personazhe të Simpsons nëpërmjet animimit. Ndërsa fotot e lidhura me Floyd, ai i ka krijuar së fundmi, duke u frymëzuar nga situata aktuale në SHBA.

 

 

 

Pomo krijoi dy foto të animuara; një që tregonte momentin kur polici mbante këmbën në qafën e Floyd dhe një tjetër në kujtim të tij, me në sfond një pankartë ku shkruhej “Drejtësi për George-in”.