Gazetari Mustafa Nano i është drejtuar me një apel publik kryeministrit Rama, Presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Këta të fundit mbrëmë kane qenë më shumë se 2 orë në ekranet televizive, ndërsa Nano duke iu referuar këtij fakti thotë se ka ardhur koha që ata të largohen.

Sipas Nanos këto tre figura kanë ushtruar përgjegjësitë më të mëdha politike në vend, ndërsa siç thotë ai nuk u ka munguar as pushteti absolut.

Monologu nga Mustafa Nano:

“Po e nis monologun për sonte më një pyetje që po ua bëj juve. Çfarë keni bërë mbrëmë pas orës 09:00? Keni parë televizor? Nëse po dhe me siguri që po, atëherë jeni gjendur pa vullnetin tuaj në një dhunë televizive të paparë. Edi Rama, Sali Berisha dhe familja Meta, Lulzim Basha i shkretë nuk ekziston fare në këtë dynja. Rama, Berisha dhe Meta, madje edhe Kryemadhi, por po e lë mënjanë për ti bërë shoqëri Bashës këta kanë qenë mbrëmë në studiot televizive të vendit. Dhe secili prej tyre ka qenë të paktën 2 orë e gjysmë dhe kjo ka qenë një dhunë psikologjike, sipas meje e ngjashme me atë policore.

Unë duke qenë se jam këtu duhet tu bëj apel këtyre xhentëllmenëve. Apeli im është ky: zotërinj mendoni largimin, dhe me këtë kam parasysh të na hiqeni sysh, duke iu uruar shëndet të plotë.

Keni 30 vjet që jeni në pushtet dhe keni ushtruar përgjegjësitë më të mëdha politike në këtë vend, atë të Presidentit, kryeministrit, kryetarit të bashkisë. Keni pasur pushtet absolut. Ju nuk keni qeverisur, keni sunduar. Pikërisht se keni pasur pushtet absolut ju i keni bërë këtij vendi dëme të pallogaritshme. Ju nuk keni bërë kurrë gabimin të mos bëni një gjë të gabuar. Po e përsëris se kjo që thashë më duket shumë e saktë: Ju nuk keni bërë kurrë gabimin të bëni një gjë të gabuar. Dhe kjo është arsyeja e parë pse ju duhet të largoheni.

Unë do them një 3-4 arsye, jo me gjuhën tuaj. Arsyeja e dytë është se ju nuk jeni njerëz të lirë. Ju nuk jeni më njerëz të lirë më, se ndoshta edhe mund të keni qenë. Ju jeni robër të miqësive, që janë të çuditshme dhe të dyshimta. Ju jeni robër të ambicies dhe tahmasë për pushtet.

Një arsye e tretë është kjo. Ju keni promovuar në vijimësi, keni dhuruar përgjegjësi dhe poste publike për njerëz që nuk kanë pasur moral. Kanë qenë hiçër dhe kanë mbetur hiçër. Me këtë që keni bërë, i keni bërë një dëm të madh vendit, sidomos rinisë. Mund të lodheni, mund të djersiteni, ju mund të studioni shumë, në universitete të mira, por nuk kanë rëndësi këto gjera.

Nëse doni të bëni karrierë politike në Shqipëri dhe adminstratë, ju duhet të keni vetëm një gjë në CV tuaj, aftësinë për të na u qurravitur neve. Që me fjalë të tjera duhet të bëheni anëtarë të forumeve rinore të partive, të FRPD, FRESS. Ndryshe nuk keni për të bërë hajër. Ky ka qenë mesazhi që ju keni përcjellë të gjithëve, sidomos të rinjve dhe të rejave. Kjo është arsyeja kryesore, për të mos thënë e vetmja që të rinjtë duan ta lënë këtë vend.