Programi “Dua të të bëj të lumtur” mbylli puntatën e mbrëmjes së sotme me historinë e një gjysheje heroinë e cila prej vitesh kujdesej për dy nipërit me aftësi të veçanta.

Moderatorja e programit, Arbana Osmani tregoi se ky është një episod i regjistruar më shumë se dy muaj më parë, përpara se të shpallej gjëndja e fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19. Në studio kishte ardhur Seviola e cila rrëfeu historinë e vjehrrës së saj, Sherifes.

Nënë Sherife kujdesej për dy nipërit e saj me aftësi të veçanta sepse mamaja e tyre kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë. Nga biseda që u zhvillua në studio me Seviolën u kuptua se nënë Sherife ishte një mësuese e dalë në pension,

por që vazhdonte ta ushtronte profesionin e saj duke mësuar dy nipërit.
Për këtë arsye Seviola kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar nënë Sherifen për punën e palodhur që bën me nipërit, për përkushtimin si dhe për forcën që kishte gjetur brenda vetes për t’i rritur. “Të falenderoj në emër të fëmijëve që je kaq e fortë dhe je një shembull për të gjithë ne.”-tha Seviola.

Nënë Sherife u shpreh se ajo gjithmonë ka pasur mbështetjen e të gjithë familjarëve që të kujdeset për nipërit. “Unë dola në pension, por ngela mësuese gjatë gjithë jetës me fëmijët e mi por ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se duhet ta pranojmë këtë fakt dhe duhet te jemi pranë tyre gjithmonë.”

I ftuar surprizë për nënë Sherifen ishte këngëtari tepër i dashur për publikun, Ylli Baka i cili u shpreh: “Ti Sherife je një nënë e fortë dhe një labe e vërtetë!”.