Ndërkohë që numri i rasteve me COVID-19 vazhdon të rritet në të gjithë botën, ne kemi filluar të shohim një rritje të raportimeve të simptomave neurologjike. Disa studime raportojnë se mbi një e treta e pacientëve tregojnë simptoma neurologjike.

 

Në shumicën dërrmuese të rasteve, COVID-19 është një infeksion i frymëmarrjes që shkakton ethe, dhembje, lodhje, dhimbje fyti, kollë dhe, në raste më të rënda, gulçim dhe probleme me frymëmarrjen. Megjithatë ne tani kuptojmë se COVID-19 gjithashtu mund të infektojë qelizat jashtë traktit respirator dhe të shkaktojë një gamë të gjerë simptomash, duke filluar nga sëmundjet gastrointestinale (diarre dhe të vjella) deri në dëmtim të zemrës dhe çrregullime të koagulimit të gjakut. Mesa duket, kësaj liste duhet t’i shtojmë gjithashtu edhe simptomat neurologjike.

 

Disa studime të fundit kanë identifikuar praninë e simptomave neurologjike në rastet me COVID-19. Disa nga këto studime janë raportime rastesh kur vërehen simptoma tek individët. Disa raporte kanë përshkruar pacientë me COVID-19 që vuajnë nga sindroma Guillain-Barré. Sindroma Guillain – Barré është një çrregullim neurologjik ku sistemi imunitar i përgjigjet një infeksioni dhe përfundon duke sulmuar gabimisht qelizat nervore, duke shkaktuar doësi muskujsh dhe përfundimisht paralizë.

 

Studime më të mëdha nga Kina dhe Franca kanë hetuar gjithashtu përhapjen e çrregullimeve neurologjike te pacientët me COVID-19. Këto studime kanë treguar se 36% e pacientëve kanë simptoma neurologjike. Shumë nga këto simptoma ishin të buta dhe përfshijnë gjëra të tilla si dhimbje koke ose marrje mendsh që mund të shkaktohen nga një reagim i fortë imunitar. U panë gjithashtu simptoma të tjera më specifike dhe të rënda, të cilat përfshijnë probleme me nuhatjen dhe shijen, dobësi të muskujve, ishemi, kriza dhe halucinacione.