Sikur të mos mjaftonte e gjithë kriza ekonomike e shkaktuar si pasojë e pandemisë Covid-19, fundjavën e shkuar u raportua një tjetër “lajthitje dhe çmenduri”.

 

Po flasim për rritjen abuzive të çmimit të çadrave, të cilat kanë arritur deri në 50 euro.

 

Në lidhje me këtë çështje reagoi edhe ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i cili u tregua i ‘pafuqishëm’ përballë këtij abuzimi, duke braktisur shqiptarët, pasi tha se qeveria s’mund të bëjë dot asgjë për çmimet.

 

Sipas Klosit, çmimet i vendos tregu dhe shteti nuk mund të jetë negociator.
Ndërkohë, ai tha se distanca midis shezlongeve do të jetë 2.5 deri në 3.5 metra, ndërsa shtoi se me tarifat do merret pushteti lokal.

 

Në një intervistë për Fax News, ai tha:

Sa i përket distancave që ne kërkojmë, është një kërkesë e Organizatës Botërore të Turizmit, pak a shumë në të njëjtat distanca janë edhe tani në hotelet shqiptare, 2.5–3.5 metra larg nga njëri-tjetrit shezlonget, pra nuk është se kërkohet ndonjë sforco e madhe, por edhe ai biznes duhet futur kontroll pasi tërmeti dhe pandemia na penguan në bërjen e ligjit të ri të bregdetit, por në bazë të ligjit ekzistues, plazhet kontrollohen nga bashkitë që vendosin dhe tarifat. Për tarifat nuk mund të jetë shteti negociator, janë vendimmarrje të pushtetit lokal, çdo bashki ka tarifat e saj.