Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është vetizoluar dhe do të punojë nga shtëpia, pasi ka pasur kontakt me një zyrtar, i cili ka pasur kontakt të ngushtë me një person që ka dalë pozitiv në testin e COVID-19.

Përmes një statusi në Facebook, kreu në detyrë i ekzekutivit tha se tashmë janë marrë mostrat dhe po presin rezultatet teksa theksoi se do të vazhdojë të kryejë funksionet e tij në largësi.

“Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.

Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE.

Do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook./Opinion.al