Ministria e Shëndetësisë, në komunikimin e përditshëm për shtyp, raportoi se në vendin tonë, gjatë 24 orëve të fundit, janë shënuar 4 raste me koronavirus. Përkatësisht, 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër.

Ky është numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

“Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri.

Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.

Bazuar në të dhënat e deritanishme vlerësohet se numri efektiv i riprodhimit nga data 24 prill e në vazhdim ka zbritur nën kufirin kritik (për R < 1).

Sot është numri më i ulët i rasteve ditore pozitive, e përllogaritur në 8 javët e fundit. Në 24 orët të fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 4 qytetarë.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 872 qytetarë. 654 qytetarë janë shëruar, ose 75% e të gjithë të prekurve. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete.