Ndonëse për shumë qytetarë plazhi ka nisur, në fakt deri tani nuk ishte dhënë ende një urdhër për nisjen e tij. Më në fund edhe për këtë pjesë kemi një datë dhe hapja e plazhit për të gjithë pushuesit do të bëhet në fund të Majit.

Në një intervistë për Tv Klan, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Kornelia Ferizaj thotë se në bashkëpunim me strukturat akomoduese dhe me subjektet e plazhit janë marrë masat për distancimin fizik.

Në plazhe, çadrat do të jenë 3.5 metra larg njëra tjetrës dhe do të jetë vrojtuesi i plazhit ai që do të merret me zbatueshmërinë e masave. Në ujë pushuesit nuk do të lejohen më afër se 3.5 metra.

Në strukturat akomoduese, ushqimi nuk do të jetë me vetëshërbim, por çdo pushues do i serviret në dhomën e hotelit. Koordinatori shëndetësor do të merret me matjen e temperaturës në mëngjes dhe darkë për turistët e hotelit.