Specialistja e ISHP-së, Rovena Daja njoftoi ditën e sotme se 5 gra shtatzëna janë konfirmuar me COVID-19 dhe 4 prej tyre janë shëruar.

Ndërkohë janë prekur në total 35 fëmijë, por 22 prej tyre e kanë fituar betejën me COVID-19. Ajo u kërkoi qytetarëve që të mos lëviznin nga njëri qytet në tjetrin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit,nisur nga rasti i gruas shtatzënë në Fier.

“Situata është e qëndrueshme. Të gjithë janë duke rritur vigjilencën, pasi shpresojmë se duke lehtësuar masat, të mos rritet numri. Cdo gjë tani varet nga qytetarët, mos lëvizni nga njëri qytet në tjetrin, kjo është arsyeja pse kemi pasur raste të reja. Gruaja shtatzënë (nga Fieri) është në gjendje të stabilizuar, i takon klinikës të vendosë nëse do të qëndrojë apo jo e shtruar. Deri tani janë 35 fëmijë të prekur, 22 janë shëruar. 5 gra shtatzënë janë prekur, 4 janë shëruar“, tha ajo.

842 të infektuar 31 viktima dhe 605 të shëruar, ky është bilanci i deritanishëm i COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije ditën e sotme se harta është zgjeruar me 2 të infektuar në Kamëz, 3 të infektuar në Krujë, 2 të infektuar në Shkodër dhe 3 të infektuar në Tiranë. Aktualisht janë të shtruar në spitalet COVID 38 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.