Rreth 60 emigrantë shqiptarë që punojnë në bujqësi në Agia Marina të Verias në Greqi, kanë kërkuar të kenë paga më të mira. Ata janë mbledhur në sheshin e fshatit dhe kanë vendosur të mos punojnë deri në momentin që kërkesat e tyre të pranohen nga pronarët.

Emigrantët janë shprehur për Tv Tribuna se arsyeja e protestës së tyre është se po marrin paga jo dinjitoze.

Ata thonë se pronarët grekë po i paguajnë më pak seç u ka kërkuar shteti helen, ndërsa shtojnë se kanë marrë edhe kërcënime për largim nga puna ose nxjerrje nga shtëpitë ku banojnë me familjet e tyre.

Emigrantët shqiptarë shprehen se jetojnë dhe punojnë prej më shumë se 20 vjetësh në këtë fshat dhe janë pajisur me dokumente të rregullta.

Një nga emigrantët thotë se kanë paguar siguracionet i kanë paguar kundrejt shtetit grek.

Ata madje u kanë bërë thirrje edhe punëtorëve sezonalë që pritet të vijnë nga Shqipëria të mos pranojnë një pagë më të ulët se 30 euro në ditë.