Ka përfunduar takimi mes kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës dhe përfaqësuesve të biznesit të vogël.

Njëri prej këtyre të fundit është shprehur para mediave se ka rezerva në lidhje me reagimin e qeverisë ndaj kësaj krize të thellë ekonomike, duke pohuar se vetëm gjysmat e bizneseve kanë përfituar.

Biznesmeni tha se paratë që Rama i quan paga lufte, janë paga sociale, jo paga që ndihmojnë biznesin, pasi ky i fundit nuk mund të mbijetojë me 260 apo 400 mijë lekë të vjetra.

“Gjendja nuk është aspak e mirë. Po shkon drejt një degradimi total. Atëherë qeveria ka miratuar dy paketa, të cilat i quan paga lufte, një 260 mijë lekë dhe një 400 mijë lekë të vjetra. Asnjë paketë nuk përfshin më shumë se gjysmën e atyre që duhet të ishin. Për ne nuk janë paketa ndihme, për biznesin, janë sociale. Nuk janë paga lufte se në luftë nuk paguhen taksa. Biznesi po shkon çdo ditë drejt falimentimit.

Nuk ka asnjë plan ekonomik nga qeveria. Të gjitha këto paketa nuk e ndihmojnë biznesin. Këto po na degradojnë. Duket sikur ne duam lëmoshë, ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Nëse jemi bërë për 260 mijë lekë, atëherë kurrë mos i marrshim. Në fatkeqësi natyrore thuhet se shteti duhet t’i dëmshpërblejë të gjithë. Bashkitë nuk kanë hequr taksat. Ne po paguajmë taksa njësoj. Kolegëve tanë po i vijnë faturat sikur të ishin në punë. Ne po shprehim shqetësimin tonë. Nuk kalohet kriza me 260-400 mijë lekë”.

Biznesmeni vijoi më tej duke thënë se qeveria duhet të hedhë para në mbështetje të biznesit, ndërsa apeli i tij ishte lejimi i liridaljes së qytetarëve pasi pa ta, nuk do të kishte kuptim hapja e bizneseve.

“Këtu duhen hedhur lekë, këtu duhen krijuar modele europiane dhe rajonale, si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë dhe detyrimin mbi supet e veta. Janë mbi 300 mijë të punësuar në biznesin e vogël, çfarë do të bëjnë këta. Kërkojmë të hapet ekonomia, subjektet, por nuk mund të hapen subjektet pa qytetarët. Qeveria thotë të hapen subjeket por qytetarin e mban të mbyllur.

Këtu do të ketë një krizë ekonomike të pafalshme. Ne kërkojmë nga qeveria të japë grante përmes llogarive të biznesit. Ministria e Financave dhe pushteti lokal i ka listat. Gjendja e biznesit është e rëndë dhe po përkeqësohet çdo ditë. Lehtësim taksash dhe hapje urgjente të biznesit bashkëshoqëruar me lirinë e qytetarëve”.