Nga Flogert Muça/

 

Partia Demokratike ka nisur një tjetër fushatë kundër mjekëve dhe ekspertëve. Edhe pse duhet thënë pa asnjë dyshim se deri tani që flasim sistemi shëndetësor ka bërë një punë shumë të mirë, e cila bashkërenduar me masat e ndërmarra nga qeveria kanë dhënë rezultatin që kemi sot në betejën me Covid-19, opozita vazhdon betejën e saj duke hedhë baltë.

 

Ajo sëbashku me disa media pranë saj, kanë nisur sulmin mbi ”Shefqet Ndroqin”, i kthyer në spital Covid2. Opozita në vazhdën e të bërit politikë me koronavirusin, e pakënqur me numrin e paktë të jetëve të humbura dhe infektuara, po tenton tinëzisht të përhapë idenë se ‘Shefqet Ndroqi’ duhet të hiqen tanimë ata pacientë të shtruar e spitali të vazhdojë punën siç ka qenë më parë, sepse sipas saj, paciantët janë lënë në mëshirë të fatit. Këtë e bën për të sulmuar qeverinë, në kushtet kur shifrat në Shqipëri flasin për një rezultat pozitiv deri tani në luftë me virusin e rrezikshëm.

 

Por, pavarsisht sulmit të PD-së, e cila dëshpërimisht kërkon drama që më pas t’i përdorë politikisht, ka disa arsye fare të thjeshta pse ”Shefqet Ndroqi” duhet të qëndrojë ende spital Covid.

 

Së pari, këtë situatë të jashtëzakonshme e ka menaxhuar fjala dhe vendimet e ekspertëve, si kudo në botë, ku qeveria ka zbatuar masat e propozuara nga ata. Nga ana tjetër, grupi teknik ka ndjekur protokolle zyrtare të OBSH-së dhe nuk ka bërë asgjë ndryshe nga vendet e tjera.

 

Arsyeja e dytë pse ”Shefqet Ndroqi” duhet të qëndrojë spital Covid e që ekspertët nuk duhet të bien pre e sulmeve e presionit opozitar (siç për fat të mirë nuk e kanë bërë deri më sot), është fakti se Shqipëria është ende në fazën e hapjes, fazë e cila kërkon shumë kujdes (shembuj kemi Gjermaninë, Britaninë e Madhe etj). Pra, deri në fund të Majit, kur të kenë përfunduar lehtesimet e mëdha, Shqipëria duhet të ketë gati kushtet për të përballuar një numër të rritur të të infektuarve.

 

Së treti, Shqipëria nuk e ka luksin të mbyllë një spital Covid, në kushtet kur kemi të bëjmë me një virus më shumë të panjohura, i cili thyen kurbat dhe parashikimet (siç e kemi parë kudo në botë). Deri në momentin që masat dhe numrat të jenë të qëndrueshme, vendi nuk e ka luksin që të bëjë hapa që mund të kushtojnë shtrenjtë nesër për një tekë politike të PD-së.

 

Së katërti dhe më qesharakja, është fakti se ata që deri dje çirreshin duke deklaruar se nuk kemi shtretër në spitale, se nuk kemi ventilatore e se do vdesin qytetarët, sot dalin e përgënjeshtrojnë veten duke thënë se spitalet dhe shtretërit janë bosh. Ata që dje thonin se vendi e menaxhoi keq situatën, dalin sot e thonë që spitalet janë bosh, pra që menaxhimi ka qenë i mirë.

 

Së fundi, ajo që PD e di fort mirë teksa hedh baltë mbi grupin e ekspertëve (që kanë menaxhuar shumë mirë një pandemi të frikshme), është se spitali i Elbasanit është vënë në funskion të pacientëve që ishin shtruar tek ”Shefqet Ndroqi” dhe askush nuk është lënë në mëshirë të fatit.

 

Të gjitha këto, padiskutim që opozita i di, por në kushtet që nuk ka shifrat që ëndërronte me viktima e të shtruar që bllokojnë korridoret, kapet pas fijes së kashtës duke hedhur baltë mbi ata që për fatin tonë të mirë, i bënë një menaxhim shumë të mirë pandemisë së Covid-19. Ky është autogoli i radhës i ooozitës, e cila pasi nuk u bë pjesë e zgjidhjes, vazhdon të bëjë gafa politike.