Epidemiologu Dritan Ulqinaku tha se shifra e ulët e rasteve do të bëjë që të vazhdojmë të jemi të përqendruar ndaj virusit. Sipas tij edhe për dy javë të tjera do të jetë e vështirë që në vendin tonë të mos ketë raste të reja me Covid-19

“Shifrën 0 nuk do të mund ta kemi mendoj edhe për dy javë të tjera. Ne do të vazhdojmë të jemi të fokusuar te Covid-19 dhe në këtë kuptim është mirë që të kemi raste të reja çdo ditë. Sheshimi në zero i rasteve është shumë i vështirë. Ne duhet të mësohemi me raste të përditshme për një kohë të gjatë”, theksoi Ulqinaku.

Sipas tij, lirimi i masave nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve:

“Njerëzit e kanë vrarë frikën, por distancimin e kanë respektuar dhe për këtë arsye kemi pak raste ditore. Hapja nuk do të sjellë shumëfishim të rasteve. Lehtësimi i masave ka ardhur edhe për arsye të temperaturave të larta. Ambientet e jashtme nuk e favorizojnë infeksionin, ato të mbyllura e favorizojnë. Deri në shtator apo tetor nuk do të kemi valë të fortë. Por, bota po përgatitet për valën e dytë dhe ne nuk duhet ta harrojmë pandeminë dhe masat”, tha ai për A2.