Nga Bledi Mane

 

Sa vjet ke që e njeh vdekjen?

Je takuar me të qindra herë në pavijon. Ke debatuar me të në dhomën e pacientit, e ke sulmuar dhe e ke sprapsur nga trupi i të sëmurit. E ke mundur mortjen në çdo kohë, të ka ardhur përsëri dhe përsëri ti i je përveshur me vullnetin e mjekes për ta goditur.

 

Por në fillim të marsit, atëhere kur pranvera kishte frikë të trokiste, e mban mend çfarë të kemi bërë ne, ne pacientët kronikë të absurdit dhe të ligësisë?

 

Ti shfaqeshe tek-tuk në mediat publike me këshillat e tua kundër një virusi që po çapitej anëve tona, dhe batareja e sulmeve tu lëshua aq kobshëm dhe aq fyeshëm sa vuri në mëdyshje profesionin tënd. Me kuç e me maç tu vërsulën me fyerje, të tallën formën e vetullave, ngjyrën e flokëve, të poshtëruan kontributet mjekësore, të akuzuan si shërbërore regjimesh, të injektuan kolerën e mosmirënjohjes dhe qëlluan drejt teje me mallkime të ftohta dhe fyerje të nxehta.

 

Ti u bëre objekt humori, të karikaturuan me meme në rrjetet sociale, të prishnin turnin e natës pranë pacientit dhe ta lëndonin mëngjesin e lodhshëm. Ti u pikturove si djalli i mjekësisë shqiptare dhe të goditën feminitetin, mëmësinë, humanizmin tënd.

 

Durove e fyer pa iu kundërvënë as politikës, as injorancës kolektive, as mediave, as interesave meskine dhe kur Coronavirusi ulëriste rrugëve të boshatisura të qytetit, ti e vetme ecje konfidente drejt spitalit infektiv. Virusi nxitonte para teje drejt mushkërive të miletit por ti nuk e ndalje vrapin dhe ashtu e drobitur edhe nga fyerjet edhe nga ngarkesa vazhdoje betejën e rradhës mbi nganjëdhimin e jetës.

 

Ditën dhe javët u rrokullisën mes ngjarjeve të kobshme e mes shërimit të pacientëve dhe ti ende vazhdon të jesh më e shpejtë se sirena e autambulancës. Sot përballë teje qëndron i shtrirë pacienti me tubat e oksigjenit në mushkëri. Të ka kapur dorën dhe nuk ta lëshon. Të shikon i mekur sytë e tua, vetullat, flokët, buzët, fjalët, kujdesin tënd dhe ti i dukesh aq e bukur dhe aq e fisshme por pacienti ka turp të të flasë.

 

Dy muaj më parë të fyen, të poshtëruan, të penguan, të plagosën por ti nuk po hakmerresh. Thërret kolegët e tu mjekë, infermierë, sanitarë dhe e tërheqni pacientin nga dora, ia hiqni tubat e oksigjenit dhe i flisni qetë dhe ëmbël: -Çohu se u shërove. Dil jashtë dhe vazhdo të ecësh bashkë me jetën!