Prodhuesit grekë kanë bërë thirrje për hyrjen e 7 mijë punëtorëve shqiptarë në vendin e tyre, pasi pemët e qershive dhe pjeshkëve nuk presin.

Ata thonë se në fillim të majit, punimet në fusha do të duhet të fillojnë, përndryshe do të humbasin prodhimet. Përfaqësues të shoqatave të agrobisnesit shprehen se 90% e punëtorëve në fushat greke vijnë nga Shqipëria dhe paguhen mesatatarisht me 30 euro në ditë.

Prodhuesit sugjerojnë që punëtorët të transportohen me autobus, ku t’iu nënshtrohen testeve për koronavirus dhe më tej të kontrollohen sërish në spitalet e Verias dhe Edesës, ku janë edhe fushat ku ka më tepër nevojë për punëtorë.

Lajmin për një ligj për punëtorët sezonalë e dha vetë Ministri i Zhvillimit Rural në Greqi, Makis Voritis.

Ai u shpreh se parlamenti do të miratojë një ligj të posaçëm për të zgjidhur këtë ngërç që është krijuar atje.

“Brenda javës do të dorëzojmë një ligj në Parlament në mënyrë që çështja e fermerëve sezonalë nga Shqipëria që punojnë në Greqi, të marrë një zgjidhje. Me garanci shëndetësore do të kemi numrin e punëtorëve që na duhen, në mënyrë që të mos ketë ndonjë çrregullim, sidomos për produktet e prodhuara në maj dhe qershor si qershia dhe pjeshka”, u shpreh Voritis në një program radiofonik, që në 22 prill.

Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të gjendet një zgjidhje për punonjësit sezonalë, në mes të muajit maj.