Mjeku infeksionist Pëllumb Piepro, tha se vendi ynë e ka kaluar pikun e pandemisë së koronavirusit që në fillim të muajit prill, duke shtuar se situata është e qendrueshme dhe nën kontroll. I ftuar në emisionin ‘Arena’ në Oranews, Pipero tha se lehtësimi i masave është një proces i nevojshëm dhe i arsyeshëm.

 

Pipero: Pandemia tek ne ka pasur dhe ka një ecuri të butë, totalisht të kontrollueshme dhe të menaxhueshme, e kësisoj na lejon të jemi optimist për të mundësuar hapjen graduale të vendit. Hila: Janë mbi 700 të infektuar, a nuk është e frikshme që këta njerëz do të vazhdojnë të infektojnë të tjerë?

 

Pipero: Jo të gjithë janë pozitiv aktivë, ata që janë pozitiv janë shumë herë më pak të rrezikshëm, sesa një që është pozitiv dhe nuk e di, sepse ai mund tua transmetojë të tjerëve. Nga 700 e ca raste, më shumë se 400 e ca janë shëruar tanimë. Kjo lloj shifre nuk na tremb, kjo shifër na dëshmon që virusi është këtu, masat janë adekuade, strategjia është adekuade, e kemi kaluar prej 2-3 javësh pikun e epidemisë. Sipas studiuesve, piku është kur numri i rasteve pozitive shkon paralelisht me numri ne të shtruarve në spitale. Të gjithë treguesit rikonfirmojnë, se ecuria e epidemisë është nën kontroll, e menaxhuar, edhe referuar masave të qeverisë, dhe respektimit të rregullave të qytetarëve, dhe me këmbënguljen tonë.

 

Freskida Miloti: Të gjithë jemi pro lehtësimit të masave, por personat simptomatikë, vijojnë të infektojnë, a kemi rrezik të kemi të papritura, një përkeqësim të situatës?

 

Pipero: Dua ta ritheksoj, se lehtësimi i masave, në mënyrë graduale, është i arsyeshëm, dhe i nevojshëm, në disa aspekte, në aspektin psikologjik.