Aktori indian me famë botërore, Aamir Khan, iu është gjendur pranë njërëzve në vështirësi ekonomike në këtë periudhë pandemie. Një video që është bërë virale në internet rrëfen për gjestin e aktorit, në dukje shumë i thjeshtë, por që fsheh në thelb bujarinë e tij. Njërëzit që përfituan këtë ndihmë, në dukje modeste, u surprizuan nga pakoja e ndihmës.

 

Khan kishte njoftuar se do të shpërndajë 1 kilogram miell për person në zonat ku jetojnë shtresa e varfër e Delhit. Të shumtë ishin ata që këtë ndihmë e konsideruan të papërfillshme dhe nuk dënjuan ta merrnin. Vetëm njerëzit që vërtet kishin nevojë shkuan për ta marrë atë. Por kur u kthyen në shtëpi dhe hapën pakot e miellit, u befasuan kur gjetën në brendësi të secilës prejt tyre një shumë prej 15 mijë rupi (rreth 200 dollarë).

 

Aamir Khan, i cili ishte duke xhiruar për filmin e tij ‘Laal Singh Chaddha’ para bllokimit, aktualisht është në shtëpi duke kaluar kohë me familjen e tij. Aktori më herët falënderoi edhe punonjësit e vijës së parë, të cilët po luftojnë me pandeminë e koronavirusit.