Bashkimi Europian po mendon dhe vlerëson një paketë të dytë ndihmash për Ballkanin Perëndimor, pas asaj në formë huaje prej rreth 750 milionë eurosh të njoftuar pak kohë më parë.

Kjo paketë e re ndihmash që pritet të vijë është në kuadër të menaxhimit të krizës së krijuar nga pandemia globale, si dhe krizës ekonomike.

Dokumenti është ende në formë drafti, fillimisht i publikuar nga Radio Europa e Lire (RFE/RL), por i zbardhur edhe nga Scan.

Paketa do të bëhet publike pas videokonferencës mes Bashkimit Europian dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në datën 6 maj. Nuk ka ende një shifër zyrtare, por flitet për një shumë mbi 1 miliard euro për të gjithë rajonin.

Shuma e plotë nuk dihet ende, thonë zyrtarët europianë, pasi nuk janë mësuar ende të gjitha kontributet.

“Paketa përfshin mbështetje të menjëhershme për sektorin shëndetësor, në veçanti për pajisjet thelbësore që shpëtojnë jetë, si dhe mbështetje të rëndësishme për nevojat e rimëkëmbjes ekonomike dhe shoqërore, për Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, dhe Serbinë”, – thuhet në draftin e zbardhur nga Scan.

Ndër të tjera, dokumenti i bën thirrje Bashkimit Europian që në vjeshtë të ketë një plan të qartë investimesh për rajonin me qëllimin për të rindezur ekonomitë e këtyre vendeve. Veç të tjerash, Bashkimi Europian ka hequr edhe kufizimet për eksport pajisjesh të kujdesit personal, kryesisht maska, ndaj vendeve të rajonit.

Drafti përmban 4 faqe dhe citon ndër të tjera se ndihma e BE-së ndaj rajonit është përtej asaj që ka ofruar çdo partner tjetër. Për Shqipërinë ndërkohë, ndihma është e shumëfishtë, pasi vetëm pak ditë më parë, Komisioni Europian në draft-amendimin e buxhetit të këtij viti, përfshiu edhe ndihmën prej 115 milionë eurosh për Shqipërinë, për rindërtimin.

Ndërkohë, videokonferenca që do të mbahet javën tjetër do të zëvendësojë samitin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor që parashikohej të mbahej në Zagreb më 6-7 maj.