Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po shkel ligjin me tenderat e bëra gjatë periudhës së COVID-19. Është Sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi i cili deklaron se së fundi qeveria ka shpallur sekret tenderin për letrën higjienike për pacientët e shtruar në 2 spitalet COVID-19 në Tiranë. Nga selia blu, Bardhi thotë se ky është një tregues se si qeveria po vjedh edhe në këto pandemie. Sipas tij, arsye se përse kryeministri Edi Rama po i fsheh këto tendera janë stratosferike, abuzimi dhe korrupsioni.

 

“Në këtë kohë të vështirë, kur pandemia COVID -19 e ka bërë edhe më te vështirë, edhe më të pamundur jetesën, është faktuar se prioriteti më i madh i qeverisë është të vjedhë me çdo lloj forme dhe mënyre. Janë plot 10 tendera të rinj të zhvilluar në datë 18 Prill, që Qeveria i ka klasifikuar përsëri sekret. Është e paimagjinueshme që mes këtyre kontratave sekrete janë dhe tenderat për blerjen e letrave higjienike me procedurë sekrete, letrat e duarve dhe kartopeceta. Jam i sigurt që çdokush që po e dëgjon këtë tani nuk u beson veshëve. Por vendimi i qeverisë së Edi Ramës, i publikuar mbrëmë në fletoren zyrtare, nuk lë vend për asnjë hamendje.

 

Letrat higjenike për të sëmurët me COVID dhe stafin mjekësor që kujdeset për ta janë shpallur sekret. Mjerim më të madh për një qeveri nuk mund të ketë. Ka arritur deri aty sa një procedurë që përdoret për interesin thelbësor të shtetit, atë të sigurisë kombëtare, e përdor për të mbuluar, me siguri, vjedhjen e radhës me tenderin sekret të letrave higjienike”, tha Bardhi.

 

Për numrin dy të PD-së, akoma më shqetësuese është heshtja e Prokurorisë, e ndërsa u bën thirrje që të nisin hetimet pasi sipas tij ka prova për këtë shkelje.

 

“Akoma më shqetësuese është heshtja e prokurorisë, karantinimi i saj, futja në xhepin e Edi Ramës, që ka bërë që hajdutët e qeverisë të marrin zemër. Në emër të Partisë Demokratike, i bëj edhe njëherë thirrje prokurorisë që të dalë nga karantina, ku e mban prej vitesh kjo Qeveri. SPAK ka mjaftueshëm fakte të çojë para drejtësisë hajdutët e qeverisë që pasurohen si të babëzitur, kur shëndeti, jeta dhe mirëqënia e qytetarëve janë në rrezik”, tha Bardhi.