Dhjetëra maska mbrojtëse për fytyrën N95 varen në një dhomë të një spitali Abu Dhabi, për t’u dekontaminuar, në mënyrë që ato të mund të përdoren përsëri nga stafi mjekësor, nëse do të ketë mungesë për shkak të pandemisë së re të koronavirusit.

Klinika Cleveland Abu Dhabi këtë muaj filloi të sterilizojë maska N95 me dritë ultravjollcë, një metodë përdorur nga spitalet e tjera për të zgjatur përdorimin e tyre.

‘Ne duam të sigurohemi që mund t’u japim maska N95 të gjithë stafit mjeksor,’- tha menaxheri i përpunimit steril, Jason Unger. ‘Ne po arrijmë të sterilizojmë deri në mbi 200 maska në ditë, gjë që rrit ndjeshëm furnizimin tonë dhe do të na ndihmojë në rast se kemi ndonjë problem në zinxhirin e furnizimit.’

Spitali ka trajtuar mbi 100 pacientë me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, dhe aktualisht po teston mbi 800 njerëz në ditë për virusin. I gjithë personeli mjekësor që trajton pacientë të infektuar ose potencialisht të infektuar mbajnë maska N95, të cilat përshtaten jashtëzakonisht ngushtë dhe filtrojnë grimcat e ajrit.

Maskat konsiderohen thelbësore në mbrojtjen e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe janë në furnizim të paktë në shumë vende. Emiratet e Bashkuara Arabe, ka numrin e dytë më të lartë të infeksioneve mes gjashtë shteteve arabe të gjirit, me më shumë se 8,000 dhe mbi 50 vdekje. /Opinion.al