Edhe dy raste të reja janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë gjatë 24 orëve të fundit për qytetin e Shkodrës.

Tashmë, numri I të prekurve nga koronavirusi është 102 persona. Nga dy rastet e konfirmuara këtë të enjte, njëri është kontakt i personit të konfirmuar pozitiv një ditë më parë, saktësisht gruaja e pacientit që ka qenë i shtruar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës.

Po ashtu edhe rasti i dytë është i një gruaje, e cila dyshohet se i përket një vatre të re infeksioni në qytetin e Shkodrës. Aktualisht në qytetin e Shkodrës janë 64 persona pozitivë me COVID-19. Nga të cilët, 48 prej tyre janë të vetëizoluar në banesa si shkak i gjendjes së qëndrueshme shëndetësore. 12 persona po marrin shërbim spitalor në Tiranë dhe 2 pacienët të tjerë janë të shtruar në terapi intensive, po ashtu në Tiranë.

Nga rastet e shfaqura të infeksionit në qytetin e Shkodrës, nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se 42 prej tyre janë shëruar nga virusi COVID-19. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor vazhdon ndjekjen e situatës epidemiologjike të krijuar në Shkodër nga përhapja e pandemisë duke gjurmuar kontaktet e personave të infektuar. Deri më tani, janë bërë më shumë se 660 teste, me një mesatare prej 20 testesh në ditë nga ku në total kanë rezultuar 102 persona të infektuar nga koronavirusi.