Nga Adriatik Doci

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj për lustracionin, i cili nëse miratohet, përjashton automatikisht ish-kryeministrin Sali Berisha nga politika dhe nga listat e kandidatëve për deputetë në vitin 2021, si dhe të gjithë politikanët e tjerë, të cilat kanë ushtruar disa funksione gjatë regjimit komunist.

 

Nisma ligjore, e cila do të vërë edhe një herë në provë deputetët për dekomunistizimin e politikës dhe shtetit, është propozuar nga 20 deputetë të opozitës, me në krye Mylsim Murrizin. Projektligji është përfshirë në agjendën e punimeve të Kuvendit me vendim të Konferencës së Kryetarëve, gjatë mbledhjes së fundit.

 

Projektligji parashikon përjashtimin nga emërimi dhe zgjedhja në funksione publike, shtetërore, politike dhe në Kuvend, të gjithë personat që kanë qenë më parë anëtarë të Partisë Komuniste dhe së Partisë Punës, ish-funksionarët e sistemit komunist, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-oficere të Sigurimit të Shtetit Komunist, dhe ish- bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit, të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollën e partisë si dhe spiunët e shërbimeve të huaja. Nëse ky projektligj do të miratohej, do të shkarkonte një tërmet në politikën shqiptare, Kuvend dhe në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar.

 

Kategoria e parë, pra ish-anëtarët e Partisë Komuniste dhe të Punës, godet ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas dokumenteve ka qenë anëtar i Partisë së Punës që në viti 1968. Ndërkaq, të gjithë personat e përfshirë në të pesë kategoritë, nuk mund të emërohen apo zgjidhen në 29 funksione të ndryshme shtetërore. Si argumente për të bindur deputetët e tjerë për të votuar këtë ligj, 20 deputetët përmendin rezolutën nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të KE-së votoi Rezolutën mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste, disa rezoluta të Kuvendit të Shqipërisë, rezolutën e parë të KE-së që në vitin 1996, për çrrënjosjen e trashëgimisë se sistemit totalitar komunist etj.

 

Mbetet për t’u parë qëndrimi i deputetëve ndaj kësaj nisma. Një ligj të ngjashëm ka propozuar edhe ish-deputetja Mesila Doda në vitin 2014. Nisma u rrëzua nga Kuvendi në atë kohë. Deputetët e PD, kolegë të zonjës Doda, nuk e mbështetën propozimin, pasi ‘digjte’ Sali Berishën.

 

Kategoritë që përjashtohen
1. Anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe të Partisë Punës së Shqipërisë;
2. Ish-funksionarët e Sistemit Komunist;
3. Ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-hetues, ish-oficere të Sigurimit të Shtetit Komunist, dhe ish- bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit (spiunë Sigurimi);
4. Të shkolluarit dhe të kualifikuarit në shkollat e larta politike të Partisë Punës së Shqipërisë (PPSH-së) dhe të Sigurimit të Shtetit të Mbrojtjes në ish-vendet e traktatit të Varshavës;
5. Ish-anëtarët ose bashkëpunëtoret e Shërbimeve te Inteligjencës se ish-vendeve të Traktatit të Varshavës.

Pozicionet nga të cilat përjashtohen
1. President
2. Kryeministër
3. Deputet i Kuvendit
4. Ministër
5. Zëvendësministër
6. Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese
7. Anëtarë të Gjykatës së Lartë
8. Anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi
9. Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor
10. Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë
11. Titullarë të institucioneve të pavarura kushtetuese që zgjidhen ose emërohen nga
12. Kuvendi, Presidenti, Kryeministri, Këshilli i Ministrave
13. Prokurorë ose gjyqtarë të të gjitha niveleve
14. Kryetar bashkie
15. Prefekt
16. Drejtor të përgjithshëm, drejtor drejtorie, drejtorë rajonalë në të gjitha
17. institucionet shtetërore
18. Drejtorë dhe drejtues në Policinë e Shtetit
19. Të Shërbimit Informativ të Shtetit
20. Të Gardës së Republikës
21. Të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
22. Ambasador
23. Konsull
24. Sekretare të Përgjithshëm në çdo institucion
25. Këshilltarë dhe shefe kabineti të Presidentit të Republikës, kryeministrit, kryetarit të
26. Kuvendit, ministrave, të institucioneve kushtetuese /Shqiptarja.com