Drejtuesit e mediave të shkruara kanë vendosur që nga nesër do jenë përditë te lexuesi, pas një ndërprerjeje të gjatë.

Vendimi u mor pasi lexuesit, ndonëse janë informuar online nga mediat tradicionale, por botimi është më se i kërkuar nga lexuesit e tyre. Sipas radios shtetrore gjermane DW në një studim për besueshmerinë e mediave sot në kohën e koronavirusit thuhet se “Në këtë situatë shumë vetë i rikthehen mediave tradicionale.

Një studim i Reuters i publikuar së fundmi, ku u pyetën njerëz në Argjentinë, Gjermani, Korenë e Jugut, Spanjë, Britaninë e Madhe dhe SHBA, arrin në përfundimin se mediat tradicionale gëzojnë një besueshmëri më të madhe se mediat sociale. Në të njëjtën kohë njerëzit me nivel të ulët arsimor përdorin shumë më rrallë ofertat e tyre të informacionit dhe u besojnë mediave sociale dhe “Messenger”.

Kështu nga nesër lexuesi do ta gjejë gazetën e parë të pavarur shqiptare KOHA JONE në pikat e shitjes, si tash 29 vite, sikurse dhe gazetat e tjera.

Situata problematike e koronavirusit ka sjellë, si për çdo njeri tjetër, edhe për gazetarët dhe punonjësit e gazetave, rregulla strikte mbrojtje, siç urdhëron ministria e shendetsisë.

Ndërsa për lëvizjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias së shkruar, sikurse asaj radio-televizive, policia të tregohet korrekte si deri më tani për mosbllokimin apo ndalimin e njerëzve të medias.

E theksojmë këtë, sepse pavarësisht se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar që njerëzit e medias (natyrisht me dokument gazetari apo punonjësi të medias) të mos bllokohen, përsëri duhet pranuar se ka ndonjë postbllok policie që krijon telashe kot së koti.

Gjithsesi gazetat nesër dalin.

Për KOHA JONË është hera e dytë në historinë e saj 29-vjeçare, që bllokohet botimi i saj kaq gjatë. Hera e parë ka qenë nga 3 mars deri me 12 prill 1997, kur pushteti i kohës e dogji redaksinë e gazetës më të madhe të pavarur në Shqipëri, KOHA JONË.

Marre nga gazeta Koha Jone