A ju kujtohet zbori, alarmet me sirena për “sulmet ajrore” nga imperialisto- revizionistët, fikja e dritave, futja në vendstrehime apo MCR-e? Natyrisht për ata që i kanë arritur, mund të kenë dëgjuar nga të afërm apo lexuar diku. Këto ndodhnin para vitit 1990, kur “i gjithë populli ushtar”, herë pas here duhej të bënte provën e gatishmëri- vigjilencës. Enver Hoxha dhe shokët e tij e merrni aq seriozisht, saqë në vitin 1990 Shqipëria numëronte në mes 300 mijë dhe 1 milion bunkerësh.

 

Çfarë po bën Edi Rama sot? As më pak e as më shumë por fiks të njëjtën gjë. Prej më shumë se një muaji na ka futur në një “luftë” me një “armik të padukshëm”. Në këtë “lojë luftash”, është ai që vendos rregullat.

 

Një herë na thotë se armiku vjen nga ora 13.00 deri në 05.00. Prandaj, të gjithë në shtëpi, siç na fusnin dikur në vendstrehime apo MCR-e. Pastaj, “shërbimet sekrete” i thonë se virusi korona ka ndryshuar stil. Atëherë, duhet të futemi në MCR-e nga ora 17.30 deri në 05.00.

 

Në fundjavë, “armiku i padukshëm” bëhet më i rrezikshëm. Fillmisht ngujin nga ora 13.00 e të shtunës, deri në 05.00 të së hënës. Këtë javë, armiku duket është shumë “agresiv”, prandaj duhet të futemi në ngujim nga ora 17.30 e të premtes deri në orën 05.00 të së hënës. Plot 60 orë për tu mbrojtur nga virusi.

 

Këtë javë, ka edhe më. “Armiku” ka vendosur të tolerojë në këtë “lojë luftash”. Nga ora 05.00 deri në 11.00, sot mund të dalin pensionistët. E kuptuat? Pensionistët, jo të moshuarit. Ata që nuk marrin pension, nuk lejohet të dalin. Ndërkohë, nesër mund të përfitojnë nga zemërgjerësia e “armikut” gratë me fëmijë nën 10 vjeç që mund të dalin nga ora 05.00 deri në 11.00. Nënat nuk duhet të takohen me shoqet dhe fëmijët nuk duhet të takohen me bashkëmoshatarët.

 

Nuk do të ishte çudi që të hënën, komandanti ynë sypatrembur, të fliste me “armikun” që të dalin pa frikë “bombardimesh”, baballarët me fëmijët mbi 10 vjeç. Më pas, mund të kalohet në dalje në rrugë një herë femrat e të nesërmen meshkujt dhe në vijim, një herë ata që kanë ditlindjen me numër tek, më pas ata me numër çift.

 

Fantazia e kryeministrit tonë mund të shkojë edhe më tej. Të dalin ata që janë nën 180 cm, ata që janë nën 100 kg peshë, ata që janë mëngjarashë, ata që nuk e pijnë duhanin, beqarët, vejanët e vejushat, familjet e dëshmorëve, familjet e kolaboracionistëve, ata që janë marrë me sport, me basketboll, shokët e shkollës, të klasës, komshinjtë e pallatit, të fejuarit, të martuarit, djemtë e vetëm, vajzat e vetme, jetimët…

 

Çfarë bëhej gjatë komunizmit? Në zbor thirreshin me rradhë, sipas shkollave, qendrave të punës. Në alarm luftarak, ngrihej pallati, blloku, lagja apo edhe qyteti. Për të mës u bërë “shenjestër” e imperialisto- revizionistëve, dritat fikeshin në lagje të tëra. A nuk po ndodh edhe sot kështu, 30 vjetpas shembjes së komunizmit?!

 

A e gjeni dot një shtet, një qeveri tjetër në Europë apo botë që sillet kështu, kaq tallshëm me popullin e vet? Vështirë të gjendet, sepse nuk qeverisin shqiptarë. Askush nuk di të thotë se kur përfundon pandemia, askush nuk di të thotë se kur do i japë fund “lojës së luftës” kryeministri, askush nuk e di se deri në ç’pikë do ta shfrenojë fantazinë Edi Rama.

 

Kur ishim të vegjël, nën frymëzimin e filmave me “partizanë e gjermanë”, shpesh luanim “luftash”. “Pam, pam, pam…te xhamia e Rusit jam, pam, pam, pam…”, shënonte fillimin e lojës “luftash”. Sot duhet të ndjekim kryekomandantin tonë në Facebook për të mësuar episodin e rradhës së “lojë luftash”. Me apo pa dashje, kryeministri ka nisur në emër të “përkujdesjes” për shëndetin e shqiptarëve, talljen e të pasmeve me të gjithë ne. Me “bashkëpunimin” e nj virusi që vepron sipas orareve, gjinive e moshave të ndryshme. Sepse të gjithë ne, e meritojmë atë që na udhëdreq! /Nga Blerti DELIJA/