1. “Po dole nga shtëpia mundet me të zanë edhe makina, por ja që askush, kurrë, nuk ka thanë: rrini brenda se ju zë makina! Sepse qyteti ka marrë masat e veta: ka vendosë semaforë, ka vizatuar në tokë vijat e bardha; dhe nga ana tjetër ne vetë shikojmë majtas e djathtas para se të presim rrugën dhe ngrehim veshët pipëz. Dhe kështu ia dalim të kthehemi gjallë e shëndosh në shtëpi.

Po dole nga shtëpia mundet që dikush me ta dhanë plumb ballit. Ja pse policia merr masa për ç’arm atosjen e popullsisë dhe organizon kontrolle.

Kështu pak a shumë është edhe puna e covid-19. Ne me të vertetë nuk e shohim, por ama e ka marrë vesh i madh dhe i vogël se po ruajte distancën sociale dhe po preke sa më pak e lave duart sa ma shpesh, je i shpëtuar.

E ç’kuptim ka kjo puna e të ndenjurit më brenda?! E gjithë Bergamo është brenda që prej më shumë se një muaji dhe vazhdojnë dhe vdesin nga 300 vetë në ditë.

Tani ose dikush do të provojë sesi mund t’ia shkatërrosh një popullsie shpirtin e protestës ose si mund t’ia heqësh trurin (në fillim të voglin e pastaj të madhin) ose të dyja bashkë”.

2. “Natën po mendoja se mos ndoshta nuk e kanë hallin të na çmendin ne, por të shkatërrojnë policinë e shtetit. Nuk e di tamam se nga më erdhi kjo ide. Ndoshta ishte një ankth i ditës, që u përkthye në një farë teorie konspirative mbas mesnate. Sepse në të vertetë paradite, ndërsa po rregulloja celularin tim te një servis poshtë shtëpisë, në një hapësirë jo më shumë se tre metër katrorë, ndërsa çunaku mbas banakut jepte e merrte për të futë në vend një vidë që e hoqi vetë dy minuta më parë, hyri një polic i shkurtë dhe i shëndoshë me maskën në dorë.

I qe këputë njëra vjeksë dhe nuk arrinte ta mbante në ekuilibër vetëm me një vesh. Polici i hyri më me vrull se virusi vetë. Unë u ngjesha krejt në cep me kurriz nga ai, dhe po dëgjoja se si ai po i kërkonte djaloshit një kapse teli, prej atyre që lidhin letrat. Si dukej kishte shpresë se do mund ta rikapte vjeksën e pambukut me copën e maskës. Por më kot. Dukej qartë se ai nuk kishte hyrë në një kancelari. Më shkoi mendja ta ndihmoja. Të ngjisja me vrap shkallët dhe t’i ofroja një kapse rrobash, por mandej e lashë atë punë. Sesi m’u duk kur e përfytyrova policin me maskë dhe me kapsën e teshave në vesh.” (Tuk Rreziku) /Nga Stefan ÇAPALIKU/