Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka dhënë detaje lidhur me të prekurit nga koronavirus në Shqipëri. Ajo iu është përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve pas deklaratës për shtyp, duke dhënë edhe shifrën e saktë të fëmijëve të infektuar.

 

Ajo u shpreh se fëmijët e infektuar kanë qenë asimptomatikë dhe asnjë grua e infektuar me koronavirus nuk ka lindur ende.“Nuk ka asnjë grua shtatzënë që ka sjellë në jetë fëmijën e saj. Deri tani ka 16 fëmijë të prekur nga koronavirusi. Nuk kanë pasur nevojë për kujdes spitalor, kanë qënë aspimtomatikë dhe janë në gjendje shumë të mirë. Lehtësimi i masave? Gjithçka që bën qeveria e bën të bazuar dhe me propozimin me Komitetin e Ekspertëve,”-tha zv.ministrja.

 

Ndërkohë deri më tani në vend janë shënuar 433 të infektuar dhe 24 viktima, ndërkohë që 197 persona janë shëruar tërësisht nga pandemia. Deri më tani, të shtruar në spital janë 53 persona, dhe vetëm njëri është i intubuar. Ministria e Shëndetësisë sërish thirrje për respektimin e masave, ndërkohë që harta është riaktivizuar sërish Pukë, Lushnje, Fier e Krujë. Ndërsa Tirana dhe Shkodra, çdo ditë shënojnë raste të reja.