Biznesmeni Harry Bajraktari në këtë kohë të vështirë nga koronavirusi ka ndihmuar një mijë familje në nevojë në Tropojë.

Gazetari Ramiz Lushaj thotë se dje në mbrëmje vonë mbërri në “Qytetin e Alpeve” ndihma humanitare me 25 tonë miell për 1 mijë familje më në nevojë të Tropojës, e dërguar nga shqiptaro-amerikani Harry Bajraktari.

“Në ditën e sotme të 9 prillit, Myftinia e Tropojës si kordinatore lokale, me kryemyfti Eduard Demiraj, me një komision mbikqyrës, sipas listave zyrtare të familjeve të rregjistruara në nevojë, po vazhdon shpërndarjen e tyre amanetqare e misionare në zona e fshatra, me makina të porositura e përfaqësues të ngarkuar.

E gjithë ecuria e kësaj ndihme humanitare ka pasë dhe përkujdesjen e përfaqësuesit të z. Harry Bajraktari, të av. Rasim Hasanaj, ish-kryetar i KSHK, vllau i Azem Hajdarit- Heroit të Demokracisë.

Harry Bajraktari ndjehet e dëshmohet mjaft i lidhur me Malësinë e Gjakovës (Tropojën – Malësinë e Mirë) nga vet lidhjet e tij genetike të origjinës së kahershme të tij nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”, një nga rrugët kryesore e të bukura të qytetit Bajramcurri e mban emrin e tij, është i shpallur “Qytetar Nderi” i Tropojës, si dhe ka dhënë kontribute të herë pas hershme, ndër vite, për Tropojën.

Harry Bajraktari është i pari shqiptaro-amerikan, që në këtë kohë të kësaj gjendje emergjence, fatkeqësie natyrore, dërgon ndihma humanitare në Tropojë, por së shpejti do të vijnë ndihma të ndryshme ushqimore edhe nga të tjerë shqiptarë në Amerikë, të cilët kanë lidhjet e tyre me Tropojën e historisë, kulturës, turizmit, këtë bashki kufitare me Kosovën e Malin e Zi. Ndaj me të drejtë fotoreporteri tropojas Dedë Harusha m’i thoshte në telefon vargjet e njohura noliane:

“Mbahur nëno mos kie frikë/se ke djemtë në Amerikë”.Mirënjohje të gjitha atyre që i gjenden pranë Tropojës e Shqipërisë në këto kohë të vështira të kësaj pandemie të rëndë globale” shprehet gazetari Ramiz Lushaj.