Andriada Meta është një nga mjeket e para shqiptare, e cila vendosi t’i bashkohej stafit mjekësor të nisur nga Shqipëria drejt Italisë, në ndihmë të kolegëve të tyre në shtetin fqinj, në luftën kundër pandemisë Covid-19, që prej disa javësh ka gjunjëzuar popullin italian.

 

Mjekja reanimatore, e cila është vendosur në spitalin e Breshias së bashku me kolegët e tjerë, rrëfeu historinë prekëse të një 19-vjeçari të infektuar me Covid-19 në emisionin “Open”.

 

Meta tregoi se i riu vuante edhe nga probleme të tjera shëndetësore, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua në spital dhe u vendos në intubim. Mjekja thotë se momenti kur ai pranoi të intubohej duke qarë, ishte tejet prekëse. Një tjetër gjë që e ka prekur mjeken shqiptare është se i riu falenderonte stafin mjekësor, për çdo veprim që ata kryenin.

 

Ajo u shpreh:

Ne kemi shikuar shumë raste të vështira por një rast më ka prekur shumë. Ishte një 19 vjeçar i cili kishte dhe probleme të tjera shëndetësore. Ai nuk erdhi në gjendje të rëndë por u përkeqësua në spital. Kur i thamë që do të vendosim në intubim për të mirën tënde ai e aprovoi dhe qante njëkohësisht. Ishte vërtet prekëse. Ajo që më ka prekur është edhe fakti që pas çdo veprimi tonë ai na falenderonte.