COVID-19 ka ‘paralizuar’ vendin, shqiptarët janë të izoluar në banesat e tyre, dhe janë të paktë ata që shkojnë në punë.

 

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama publikoi masat e reja për COVID-19 dhe deklaroi se orari i qytetarëve për të bërë pazar do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 14:40 të mesditës. Kreu i qeverisë nënvizoi se të gjithë qytetarët që duan të bëjnë pazare, mund t’i bëjnë ato me makinat e tyre, por vetëm, dhe me autorizimin përkatës.

 

Ndërsa për qytetarët që do të kapen në makinë me pensionistë apo familjarë të tjerë, do të burgosen, përveç se do iu hiqet patenta dhe do iu sekuestrohet makina. Sa i përket qytetarëve të cilët duhet të punojnë në këtë periudhë pandemie, orari i lejuar i punës është deri në orën 16:00 të pasdites dhe çdokush duhet të ketë një autorizim për të lëvizur.

 

Shkodra është një nga qytetet problematike, sa i përket respektimit të masave të marra nga qeveria për koronavirusin. Dhjetëra forca policie dhe ushtrie janë të pranishme në tregjet e Shkodrës, ku çdo qytetar po deklaron edhe lejen që ka marrë për të dalë nga shtëpia.

 

Një ditë më parë, kreu i qeverisë deklaroi se të gjitha masat drastike i kishte marrë me vetëdije, pasi ishin të nevojshme. Sakaq, numri i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 383 persona dhe deri më tani janë shënuar 22 viktima. Ministria e Shëndetësisë njoftoi dje se janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19. Po kështu, harta e rasteve të reja është zgjeruar në Tiranë, Shkodër dhe Fier.