Senida Mesi, deputetja socialiste e Shkodrës akuzon kryebashkiaken Voltana Ademi se po bën politikë dhe në këto ditë të vështira në të cilat ndodhet vendi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

 

Në një intervistë për Ora News, Mesi ka thënë se si me përmbytjet, si me tërmetin dhe tani me koronavirusin Voltana Ademi gjen kohën për politikë. Deputetja socialiste ka shtuar se kreut të PD Lulzim Basha i ka ngelur vetëm kryebashkiakja Voltana Ademi për të bërë politikë në Shkodër.

 

“Si qytetare dhe deputete e Shkodrës me lejoni të bëj një koment që nuk do të doja ta bëja. Ndihem në një farë mënyrë dhe e kushtëzuar për të thënë që në Shkodër, kryetarja e bashkisë Shkodër në detyrë, si me përmbytjet, si me tërmetin si dhe tani me këtë sëmundje të tmerrshme gjen mundësinë për të bërë politikë.

 

Unë mendoj që ky nuk është rasti për të bërë politikë. Në asnjë moment nëse bëhet fjalë jeta e njerëzve, rrezikshmëria që bluzat e bardha kanë në frontin e parë dhe sidomos individët, personat dhe familjet në nevojë që më shumë se kurrë kanë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin tonë. Ndoshta Lulit për fat të keq, por jo vetëm i ka ngelur vetëm Voltana për të bërë politikën. Kjo është hera e parë dhe e fundit që unë përdor një elementë të politikës për të identifikuar apo veçuar Shkodrën”, ka thënë deputetja socialiste e Shkodrës Senida Mesi.