Numri i të prekurve me koronavirus në Shkodër është duke u ulur ndjeshëm. Në 24 orët e fundit është konfirmuar vetëm një rast i ri me COVID-19 nga 17 mostra të marra një ditë më parë. Rasti i ri i përket familjes në lagjen “Draçin” në Shkodër. Në atë familje numri i të infektuarve shkon në 5 gjithsej mes të cilëve edhe një viktimë, një e moshuar 80-vjeçe që ndërroi jetë pak ditë më parë në spitalin rajonal të Shkodrës.

 

Ndërkohë, numri total i personave të infektuar nga koronavirusi në qarkun Shkodër është 49 ndër të cilët, 35 persona të infektuar në qytetin e Shkodrës, 6 persona të infektuar në Vau Dejës dhe 4 persona të infektuar në Pukë. Në bashkinë Malësi e Madhe janë marrë 2 mostra një ditë më parë, nga persona të dyshuar si të infektuar me COVID-19, rezultatet e të cilave kanë dalë negativ ndaj virusit vdekjeprurës.

 

Deri më tani në bashkinë Malësi e Madhe nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus ndërkohë që numri i testeve që bëhen pretendohet se është më i vogël nga kërkesat që janë. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor dhe mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës po punojnë për gjurmimin e personave të cilët mund të jenë të infektuar si shkak i kontaktit me persona të tjerë të cilët janë aktualisht me COVID-19.

 

Deri më tani, më shumë se 100 persona janë të vetëkarantinuar në Shkodër për të frenuar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në këtë qytet. Pavarësisht rritjes së numrit të personave të infektuar nga COVID-19 në të gjithë qarkun, tek një pjesë e qytetarëve shkodran mungon një ndërgjegjësim, ku pjesa më e madhe nuk respektojnë rregullat dhe distancën sociale gjatë lëvizjes apo qëndrimit në rrugë dhe mjedise të tjera publike të hapura.